English

Plagosja me pistoletë në një tavernë u ka kushtuar prangat dy punonjësve se nuk treguan krimin në polici

Tiranë 25 prill NOA - Policia arrestoi sot dy punonjës të një taverne në Tiranës, pasi nuk dhanë shpjegime për një plagosje që ndodhi në vendin e tyre të punës.

Ngjarja e cila ka çuar në qeli 26-vjeçarin Adriatik Qarri, dhe 40-vjeçaren Mimoza Sukaj, 40-vjeç, ndodhi në orët e para të ditës së sotme kur në tavernën ku ata punojnë te rruga e "Durrësit" në Tiranë u plagos me pistoletë 26-vjeçari Korab Çejku .

Burime zyrtare nga policia thanë se nga hetimet rezulton se i dëmtuari ka qenë tek taverna, deri në orët e para të mëngjesit dhe për motive të dobëta, në gjendje të dehur, ka debatuar me disa persona, mes të cilëve edhe me 32-vjeçarin Martin Gjinaj.

Dyshohet se Gjinaj e ka qëlluar me pistoletë 26-vjeçarin Çejku, duke e plagosur rëndë në trup dhe më pas është larguar, dhe u shpëtuar prangave të policisë.

Oficerët e zyrës së hetimit të vrasjeve në policinë e kryeqytetit mbërritën menjëherë në tavernë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, duke marrë në pyetje dëshmitarët.

Por mësohet se policia është përballur me kundërshtimin e punonjësve të tavernës të cilët nuk kanë dhënë shpjegime për ngjarje, gjë e cila u ka kushtuar atyre prangat, pasi akuzohen për veprën penale të "moskallëzimit të krimit'.

Ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes Martin Gjinaj i cili akuzohet për veprat penale të "Vrasjes me dashje e mbetur në tentativë" dhe të "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve".

k.k/NOA

KOMENTE