Elbasan 26 prill NOA - Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e nisjes së punimeve për ndërtimin e rrugës që lidh Elbasanin me Gjinarin, ku gjatë fjalës së tij u premtoi banorëve se më datën 1 maj pensionistët do të marrin dy herë më shumë se në vitin 2005.
Ndërkohë që rruga e cila sapo ka nisur kap vlerën 460 milionë lekë dhe është një investim i buxhetit të shtetit.
"Unë dua të garantoj banorët e kësaj zone se, pas përfundimit të kësaj rruge, çdo fshat do ta lidhim me aksin kryesor përmes rrugëve të asfaltuara. Dua t'i garantoj banorët se çdo fshat do të ketë ujësjellësin e tij dhe se në 4 vitet që vijnë, çdo familje shqiptare do të ketë ujin brenda shtëpisë së tij. Ne jemi të vendosur për urbanizimin e plotë të fshatit shqiptar, jemi të vendosur të ndërtojmë rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla moderne, shërbime sociale, në mënyrë që ju dhe fëmijët tuaj të keni kushte të qytetëruara jetese në vendin ku ju jetoni" u shpreh gjatë fjalës së tij në Gjinar kryeministri Sali Berisha.
"Në datën 1 maj çdo burrë dhe grua pensionist në këtë zonë do të marrë 2 herë më shumë sesa në vitin 2005. Por ne kemi dyfishuar edhe ndihmën ekonomike. Në çdo komunë që shkoj kryetarët e komunave më njoftojnë se ndihma ekonomike është rritur në të gjitha rastet 100 për qind" shtoi më tej Berisha.
Kryeministri gjatë fjalës së tij shtoi se "kemi qenë dhe do të mbetemi të ndejshëm për të plotësuar çdo kusht jetësor për ju. Ne e kemi faktuar këtë, e faktuam me infrastrukturën, me furnizimin me energji elektrike, me ndihmën e ekonomike, etj".
k.k/NOA