Tiranë 26 prill NOA - Shoqata "Çamëria" protestoi sot, një ditë para vizitës së kryeministrit grek Kostat Karamanlis në Tiranë, për t'i kujtuar qeverisë zgjidhjen e çështjes "Çame". Sheshin "Skënderbej" është mbushur sot me qindra çamë, të cilët zhvilluan një tubim.
Ata u shprehën se vizita e kreut të qeverisë greke nesër në Tiranë duhet të shërbejë për sensibilizimin e politikës së dy vendeve për zgjidhjen përfundimtare të çështjes që ka mbetur ende peng i historisë.Â
Sipas protestuesve Greqia duhet të ratifikojë konventat për minoritetet dhe të aprovojë ligjin për konservimin e pronave.
"Së pari, të lejohen moshat e mëdha të shkojnë pranë varreve të parëve të tyre për ti nderuar me një tufë lule. Së dyti, të ngrihet një memorial në Tesproti në nderim të viktimave të pafajshme të popullsisë çame gjatë viteve 1944- 1945. Së treti, të nisin bisedimet mes dy qeverive për zgjidhjen e çështjes "çame" e cila do t'i shërbejë të tashmes e së ardhmes evropiane të Shqipërisë e Ballkanit" u shpreh Tahir Muhedini kryetari i shoqatës në lidhje me kërkesat e çamëve.
"Marrëveshjet e qeverisë shqiptare me atë greke siç ishte ajo e ngritjes së dy varrezave të ushtarëve grekë- thanë përfaqësuesit e shoqatës-nuk do të jenë kurrë të mjaftueshme nëse nuk ka një zgjidhje të plotë për çështjen "Çame" nga ana e shtetit fqinj" shtoi me tej Muhedini. k.k/NOA