English

Kryeparlamentarja Topalli u bën thirrje nënave të ruhen nga kanceri

Tiranë 26 prill NOA - Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli mori sot pjesë në marshimin simbolik të luftës kundër kancerit të gjirit.

Në marshim, cili nisi në sheshin Nënë Tereza dhe më pas vijoi përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" morën pjesë nëna, vajza, zonja nga Tirana dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit tha se beteja kundër sëmundjes së shekullit, tumorit të gjirit, duhet të jetë një kryqëzatë e fortë.

"Nuk do të rresht kurrë së kërkuari që çdo nënë çdo zonjë, çdo motër të bëjnë kujdes për shëndetin e tyre, që të mos provojnë atë që mund të jetë fatale, por mbi të cilën, ne mund të fitojmë. Unë gjithmonë kam besuar se një nënë e sëmurë është një familje e sëmurë, një nënë e sëmurë është një shoqëri e sëmurë, ndaj dhe beteja jonë do të jetë një kryqëzatë e fortë kundër sëmundjes së shekullit, kundër kancerit, kundër kancerit të gjirit, kundër kancerit të mitrës" u shpreh Topalli.

Kryeparlamentarja u shpreh se "po të tregohemi vetëm pak të kujdesshme, secila me miken, me shoqen, me të dashurën, me nënën, me motrën, me hallën dhe ti thonë atyre që të shkojnë të bëjnë skaner, të bëjnë mamografi, të bëjnë eko, ne mund të fitojmë mbi këtë sëmundje të tmerrshme".

"Unë ju ftoj të gjitha ju dhe nëpërmjet jush të gjitha zonjat e Tiranës, Durrësit, Fierit, Lushnjes Gjirokastrës, të Shkodrës, Kukësit dhe të gjithë qyteteve, shkoni dhe bëni mamografi, shkoni dhe bëni paptestin" përfundoi Topalli.

k.k/NOA

KOMENTE