Nga Salih Mehmeti
Â
Perëndimi nuk e ka ndërmend të shqitet nga perspektiva serbocentriste e vendimmarjeve për Ballkanin. Gjithçka mbizotërohet nga ligjërimet sesi Serbia duhet të jetë prijatare e integrimeve rajonale, sesi u dashkan përmirësuar marëdhëniet me Serbinë, etj etj.
Thjesht kemi të bëjmë me njëfarë mirësjellje cinike të mbarë Perëndimit që Serbinë po e trajton si ‘bosht demokracie', duke mbyllur sytë para mjedisit neofashist politik brenda Serbisë. Ankesat e disa zyrtarëve të BE-së sesi Vuk Jeremiqi nuk e kishte lënë të fliste fare përfaqësuesi i BE-së në Beograd dukeshin aq qesharake. Diçka tjetër duhej të ishte më shqetësuese: fakti që Serbia nuk e lejon të flasë fare Perëndimin për karakterin e saj.  Pikërisht, parimet e gabuara po japin politikën e gabuar. Në vend se Perëndimi ta kushtëzojë Serbinë, po ndodh e kundërta - Serbia po e kushtëzon Perëndimin. Si është e mundur që Perëndimi harton me mijëra strategji sesi duhen mirëtrajtuar serbët në Kroaci, Bosnjë a Kosovë, kurse në anën tjetër afro gjysmë milioni joserbë në Serbi (hungarezë në Vojvodinë, boshnjakë në Sanxhak e shqiptarë në Kosovë Lindore) as që përmenden!?
Kjo lakueshmëri e Perëndimit nga politika kolonialiste e Beogradit po përjetohet si dorëzim i Perëndimit, gjë që po i nxit ata të jenë në sulm të plotë për të shtrirë ekspansionin serb në drejtim të vendeve fqinje. Së pari, nuk ka se si të mos jetë brengosës ‘shqetësimi' perëndimor për Serbinë; ai po kufizohet vetëm në çështjen e dorëzimit të disa kriminelëve dhe bashkëpunimin me Hagën. Çështja nuk do të duhej shtruar kësisoj, sepse nuk është problemi tek mosdorëzimi i kriminelëve, por tek karakteri neokolonialist që mbruan ky shtet i përkëdhelur. Serbia jo kot e vononte dorëzimin e Karagjiqit; duke e vonuar dorëzimin e Karagjiqit ia acaronte nervat Perëndimit aq sa ky i fundit dorëzohej para se Serbia t'i dorëzonte kriminelët e saj. Domethënë, Serbia nuk e dorëzonte Karagjiqin për aq kohë sa Perëndimi nuk i bënte ndere e privilegje. Kryekrimineli tjetër me emrin Ratko Mlladiq është një aset tjetër, përmes të cilit Serbia do ta tundojë Perëndimin, tundim nga i cili ka gjasa që Serbia të sigurojë zhvatje të reja.
Në vend se Serbia të paditet e denoncohet ndërkombëtarisht për militarizim e prirje kolonialiste, për çudinë më të madhe po ndodh që në shenjestrën e denoncimeve të jenë vendet fqinje të Serbisë, të cilat po mbeten pengje politike të Serbisë. Peng politik vazhdon të jetë edhe Kroacia që kushtëzohej gjatë nënshkrimit të MSA-së për zbutje dhe hapje ndaj Serbisë, ndërkaq Serbisë nuk i kërkohej një gjë e tillë. Mirëpo, ngrehinat e dobëta me emrin Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë mbeten pengjet dhe viktimat më të mëdha të politikës serbe. Kjo ngase Serbia në secilën prej këtyre dy vendeve ka ngjizur entitete territoriale-politike që përfaqësojnë kryekreje Serbinë. E para quhet Republika Serbe që përfshin një sipërfaqe prej afro 25.000 km², që përfshin diku 49% të Bosnjës. E dyta ndonëse nuk quhet me këtë emër, gjendet në Kosovë. Shtrihet në veri, në qendër e në lindje të Kosovës e lidhur politikisht, juridikisht ndërmjet veti, dhe si tërësi me Serbinë. Ndonëse këto dy mezishtete të krijuara përmes eksperimenteve ndërkombëtare (Bosnja dhe Kosova) kanë kufij të jashtëm të pranuar ndërkombëtarisht, ata treten përballë kufijve të brendshëm shumë më të fuqishëm në të cilat Serbia ka krijuar entitetet e saj shtetërore të cilat i shërbejnë si një mundësi e arrirë për shantazh të përjetshëm. Fillimisht, shantazh karshi Bosnjës dhe Kosovës sepse duke i mirëmbajtur të armatosura në çdo drejtim ‘republikat serbe' brenda këtyre dy vendeve, atëherë tërë energjia e Bosnjës dhe Kosovës në vend se të përqendrohej në shtrirjen e sovranitetitet në tokat përkatëse, ndodh që ato të merren vijueshmërisht me problemet brendaetnike që prodhon mishmash të brendshëm i cili e zbraz substancën e të qenurit shtet. Ky qe shantazhi i parë, përderisa shantazhi i dytë ka të bëjë me kërcënimet e përhershme të Serbisë se do të bëjë ndryshimin e kufijve në Ballkan, nëqoftëse Perëndimi nuk përmbush kushtet e piketuara nga Serbia.
Jane's Foreign Report pahëton faktin se ‘bashkësia ndërkombëtare po fokusohet në Bosnjë, ku ka rritje tensionesh. Zgjidhja e problemeve atje kërkon edhe ndihmën e Serbisë, çfarë i ofron Beogradit një mundësi tjetër për ta përmisuar besueshmërinë e vet'. Le të ndalemi e ta zbërthejmë më gjerësisht këtë: Serbia me qëllim e ka lënë një Republikë Serbe të pavarur thuajse në çdo aspekt, paçka se ruhet kinse njëfarë unioni federal. Mirëpo, Serbia nuk është ngutur që këtë Republikë Serbe ta fus brenda saj. A thua pse? Serbia e ka lënë Republikën serbe qëllimisht brenda kufijve formal të Bosnjes, sepse e dinte që Banja Lluka do ta dërrmonte së brendshmi Sarajevën e dobët, gjë që do t'i hapte rrugë një përfytjeje të fshehtë brenda Bosnjes, me ç'rast Perëndimi do të binte në të gjunjëzohej para Serbisë duke iu përgjëruar që të ndërhyjë brenda Bosnjes në mënyrë që të qetësohen ujërat e tallazitura brendaetnike. Kjo e kurorizoi Serbinë në rolin e një kujdestari dhe ruajtësi të qetësisë në Bosnjë Hercegovinë, gjë që padyshim ia forcon edhe më nepsin hegjemonik për të tilla mësymje.
Me 10 dhjetor 2008 në Beograd takohet Përfaqëusesi i Lartë për Bosnjen, Miroslav Lajçak me Boris Tadiqin. ‘Si nënshkruese e Marrveshjes për Paqe te Dejtonit, Serbia ka rol te veçantë dhe përgjegjësi karshi Bosnjë Hercegovinës' tha Lajcak ne nje intervistë dhënë BETA-s. I trimëruar nga ky privilegj që po i jepet shtetit të Serbisë për të qenë si dorëzan i Bosnje Hercegovinës, Tadiqi tha se Serbia njeh integritetin tokësor të Bosnjes. Shtrohet pyetja: vallë a do ta njihte integritetin tokësor të Bosnjës, sikur të mos e kishte siguruar Republikën Serbe, pra gjysmën e Bosnjes? Më tej në këtë takim, Tadiqi aktronte duke thënë se Serbia mbështet synimin për integrim të Bosnjes në BE. Tadiqi nuk e kishte për gjë të luante rolin e një apostulli që i digjet zemra që të integrohemi të gjithë në BE, sepse e dinte mirëfilli që një vend i bërë gërmadhë nga kundërthëniet e përçarjet e brendshme etnike mund të hyjë në BE atëherë kur shelgu të bëjë rrush. Është akoma e freskët në celuluoidin e ngjarjeve politike, kur në vitin 2007, komisioneri për zgjerim të BE-së Oli Rehn ia pat tërhequr vërejtjen udhëheqësve të Bosnjes se treni po i ikën Bosnjes pakthyeshëm në mbetjen pa nënshkrim të MSA-së si pasojë e policive të ndara në vend. Në anën tjetër, Ministri i Jashtëm boshnjak Sven Alkalaj qahej se Forca Policore e Republikës së Bosnjes nuk po i shtrin dorën e bashkëpunimit policisë federale. Në vend që Oli Rehni të kritikonte udhëheqësit boshnjakë, do të duhej ta denonconte Serbinë e cila nxit dhe mirëmban tërë aparaturën politike, juridike, materiale dhe ushtarake të Republikës Serbe.
Këto ngjarje dëshmojnë për fuqizimin politik të Serbisë. Nëse në Bosnje e Hercegovinë Serbia fuqizohet politikisht, në Kosovë ajo stërfuqizohet. Kjo nuk do të ndodhte sikur qeveria e Kosovës të vepronte tamam si qeveri shtetërore; edhe pas pavarësisë së Ahtisaarit, fuqia vendimmarrëse e qeverisë është baraz me zero. Në vend të një strategjie politike për shtrirjen e sovranitetit dhe juridiksionit politik në mbarë vendin që si paraprakisht do të kërkonte themelimin e një ushtrie të njëmendtë sovrane, qeveria e Kosovës parapëlqen vetëmjaftueshmërinë në pushtetin e fildishtë në Prishtinë. Sa për të thënë se përpiqemi për veriun dhe shtrirjen e sovranitetit, kryeministri kukull i shoqëruar nga një gardë pretoriane e policëve special mezi arriti të vendos një tabele llamarine ‘Mirësevini në Kosovë', madje atë jo në veri, por në Merdarë. Kaq e pati "sovraniteti" i Thaçit, ai zgjati jo më pak se një ditë, derisa serbët e hoqën të tërin. ‘Shpirti nuk mbahet me kulumria', do të thoshte Jusuf Gërvalla. Mbajtja e papenguar e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të Serbisë me 9 maj, pra disa muaj pas shpalljes së shtetit ‘sovran dhe të pavarur të Kosovës' rrjedhoi me themelimin e mbi 20 kuvendve komunale serbe. Pakoja e Ahtisaarit, 6 Pikat e Ban Ki Munit, rinisja e decentralizimit, rifillimi i negociatave... këto janë akte zinxhirore të një drame të gjatë, skena e fundit e së cilës është rrezikon të jetë krijimi i një republike të plotë serbe brenda Kosovës. Ndoshta nuk do të jetë e largët dita kur Boris Tadiq apo ndonjë tjetër do të thotë: 'Serbia njeh integritetin territorial të Kosovës'. Serbia mbështet integrimin e Kosovës në BE'! Të mos na duket e habitshme, pra! Serbia do ta njeh ‘integritetin territorial' të Kosovës atëherë kur do ta ketë të kompletuar të tërën republikën e saj. Po ashtu, Serbia do përkrah ‘integrimin në BE' të Kosovës, atëherë kur Kosova të jetë një vend mishmash ku nuk njeh qeni të zonë, ku nuk ka kurrfarë qëndrueshmërie politike a ekonomike. Dhe siç e dimë, BE as që i honeps vendet që kanë probleme të brendshme politike e ekonomike. Krejt kjo është e pritshme të ndodh. Vetëm një shtrirje energjike e sovranitetit të plotë institucional do ta shpëtonte Kosovën nga një zhvillim i tillë tragjik. Por, një gjë e tillë nuk mund të pritet nga junta politike që mbretëron në Prishtinë. Ajo gjithherë, muhabetin e hedh nga ‘pamundësitë' që i kemi për ta sipërmarrë një mësymje ndryshuese duke na cilësuar si kolektiv inferior.