Kukës, 26 prill NOA - Partia Demokristiane hapi fushatën elektorale për qarkun e Kukësit. Kryetari Ndoka, i shoqëruar nga eksponentë të koalicionit "Poli i Lirisë", prezantoi kandidatët për deputetë, Kreshnik Lusha, Marime Bilali, Dem Brati.
Ndoka vuri theksin në fjalën e tij, në disa pika te rëndësishme te programit politik dhe elektoral te Partisë Demokristiane.
Sipas tij, PDK është një parti që ka një program të qartë politik me ide dhe projekte politike konkrete që kanë në qendër të tyre qytetarin shqiptar dhe interesat e tij, familjen shqiptare, fëmijët shqiptarë, si dhe të ardhmen e përbashkët evropiane.
"Ne nisim sot së bashku një rrugë të gjatë, të vështirë, por që është rruga që u jep vendin e merituar demokristianëve shqiptarë në nivelet më të larta parlamentare, politike e qeveritare të shtetit shqiptar, duke siguruar një përfaqësim dinjitoz dhe te respektuar te qytetareve.
Ne demokristianët hyjmë në këtë fushatë elektorale më të organizuar, me të bashkuar, më të bindur se asnjëherë tjetër se PDK do te jete ne qendër te zhvillimeve te ardhshme politike",- tha Ndoka.
Me tej Ndoka tha se me të drejtë qytetarët sot ndjehen te zhgënjyer nga politika, ndjehen te zhgënjyer nga politikanët e tyre qe kane abuzuar me votën dhe lirinë, kane abuzuar me fondet publike, taksen dhe djersen e tyre, ndërkohë qe kanë krijuar pasuri marramendëse për vete.
Sipas Ndokës, produkt i këtyre politikanëve janë pazaret e ulëta, marrëveshjet qe arrihen natën e nënshkruhen ditën, ne dem te kushtetutës, ne dem te institucioneve kushtetuese, ne dem te lirise se zgjedhjeve, ne dem te qeverisjes se mire dhe te interesit te çdo qytetari.
Kjo gjë, theksoi ai, - ka ndodhur me përfaqësuesit e partive te vjetra politike, te cilët bashkëpunuan tre vjet rresh për te kënaqur orekset e tyre ekonomike e politike dhe tashme ne prag te zgjedhjeve bëjnë sikur përplasen e konfliktohen, një lojë e pacipe dhe demagogji qe nuk e beson askush.
"Ne një realitet të tille vjen Partia Demokristiane si një parti e vlerave, si një parti e besimit, si një parti qe beson te morali ne politike dhe qe gjithashtu beson se vetëm një moral i fuqishëm mund te gjeneroje atë energji qe mund ta ndryshojnë me te vërtetë Shqipërinë.
Për këtë arsye ne kemi thënë dhe themi se PS dhe PD nuk janë ndryshimi, por vazhdimi, madje një vazhdim problematik për të ardhmen tone evropiane. Ndryshimi i vërtetë jemi ne",- tha Ndoka.
e.l/NOA