Tiranë, 26 prill NOA - Partia Demokratike (PD), i kërkoi sot Edi Ramës që të japë dorëheqjen si kryetar i Bashkisë së Tiranës, kurse premtoi se do të çojë deri në fund punën e komisionit hetimor parlamentar hapur kundër tij.
Erla Mëhilli, zëdhënëse e PD, doli sot para mediave duke akuzuar Ramën se ai është "i frikësuar nga akti megakorruptiv i marrjes së 19 lejeve të ndërtimit për vete dhe Eftimin e tij nga 28 që ishin gjithsej në KRT-n e fundit, ndaj kërkoi mbështetje dje të vartësve të tij në Bashki".
Mëhilli tha se Rama detyroi zyrën juridike të Bashkisë së tij të dalë dhe të sugjerojë Ramën që për të shpëtuar nga akti i shëmtuar që kreu ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese. "Znj.Vishka me kërkesë të Edi Ramës doli dje dhe gajasi shqiptarët kur tha se do ti kërkojë Kryetarit tim që për të bllokuar hetimin parlamentar ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që ta mbrojë nga akti i shëmtuar i përvetësimit të 19 lejeve të ndërtimit", - tha Mëhilli.
"Partia Demokratike i thotë z.Rama se ky është një akt i dëshpëruar me të cilin ai kërkon të fshihet jo prapa fustaneve të vartësve të tij por prapa gishtit të vet", - deklaroi Mëhilli.
Kurse bëri dhe një apel: "Partia Demokratike i thotë z.Rama "mos ki frikë se hetimi do të jetë tërësisht transparent dhe alternativë e vetme ty të mbetet tu kërkosh falje qytetarëve të Tiranës për shndërrimin e Bashkisë në pronë familjare dhe të japësh dorëheqjen si Kryetar i kësaj Bashkie".
e.l/NOA