Berat, 26 prill NOA - Â Turi i zëvendëskryeministrit z. Genc Pollo u ndal sot në Sinjë, komunë e Beratit, në një takim me banorë të kësaj komune.
"Banorët e Sinjës, -u shpreh z. Pollo gjatë takimit, - janë dëshmitarët e gjallë që produktet e tyre, pasi transportohen, shiten në treg dhe janë të mbrojtura nga ministrat importues të ish qeverisë socialiste."
Zëvendëskryeministri vijoi se edhe ata që kanë punuar më parë, janë gjithashtu dëshmitarë të gjallë që pensionet e tyre janë rritur ashtu siç u premtua në vitin 2005 dhe përsëri do të rriten, derisa të barazohen me ato të qytetit.
"Këto janë ndryshime që ne i dimë, i shohim dhe i prekim. I vetmi që nuk i pranon këto është Edi Rama që nuk po del dot nga kulla e vet e mohimit", - deklaroi Pollo.
Duke u ndalur në disa arritje kryesore të qeverisë dhe kryesisht për investimet rrugore z. Pollo dha një lajm të mirë për banorët e Sinjës, fillimi i shpejtë i rrugës Berat-Brezhdan, 10 km e gjatë, me gjerësi 7 m, dhe e asfaltuar.
Fituesi i projektit sipas z. Pollo është shpallur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe në 15 ditët e ardhshme pritet nënshkrimi i kontratës dhe fillimi i punimeve.
Pollo përmendi gjithashtu edhe angazhimin e qeverisë për ndërtimin e Boshtit të Jugut, shenja e parë, sipas të cilit,- është ura e madhe mbi Osum të cilën z. Kryeministër e inaguroi para disa javësh.
"Shumë shpejt, tha z. Pollo, - ju dhe banorët e këtij rrethi do të jeni aq afër akseve dinamike të zhvillimit ekonomik, sa ç'janë banorët e Vorës, Maminasit, etj.
Atëherë Sinja do të jetë një lagje e Beratit dhe një qendër afër Lushnjës, Fierit dhe Tiranës, e paimagjinueshme me pozicionin rrugor sot", - premtoi Pollo.
e.l/NOA