English

PS te banorët në çadra: Qeveria jonë s'do sillet kështu me ju

Mirditë, 26 prill NOA - Anëtarja e Kryesisë Lindita Nikolla ka qenë në Fan të Mirditës, atje ku njerëzit jetojnë në çadra.

Këta njerëz jetojnë në çadra pasi shtëpitë e tyre janë rrënuar për shkak se kalon segmenti rrugor i rrugës Durrës Kukës.

Shembja e shtëpive të tyre është bërë pa i kompensuar banorët të cilët sot gjenden në mes të katër rrugëve.

Vetë banorët e Fanit i kanë treguar Nikollës se çfarë ka ndodhur me shtëpitë e pronat e tyre.

"Shkova në Rrëshen, më çuan në Komisariat dhe atje më mbajtën 4 orë, më thanë tani shko, sepse atje kemi shembur banesën, kemi marrë tokën dhe lekët do t'i marrësh më vonë", - ishte rrëfimi i një prej banorëve të cilëve u janë prishur shtëpitë.

"Të dalin njerëzit nga shtëpia në këtë farë feje, të bëhet projekti i rrugës, ku përpara të filloj ndërtimi i rrugës përpara se të shpërblehen familjet dhe t'ju gjenden strehimet e njerëzve, kjo është një masakër që mund t'i bëhet këtij populli", - ishte rrëfimi i një tjetër banori të Fanit.

Ndërsa anëtarja e Kryesisë së PS, Nikolla është shprehur se pas 28 Qershorit, qeveria nuk do të sillet më në këtë mënyrë me njerëzit:

"Gjithçka flet vetë, gjithçka tregon edhe një herë se sa të gënjeshtërta janë spotet publicitare që kjo qeverisje tregon për arritjen dhe nivelin në rritje ekonomike të shqiptarëve".

"Por, - vijoi Nikolla, - ne kemi një mundësi, kemi një mundësi për t'i thënë jo gjithçkaje që po ndodh rëndom në Shqipëri. Kemi një mundësi për t'u bashkuar të gjithë dhe për t'i dhënë fund kësaj qeverisje, duke votuar për ndryshimin, duke votuar pikërisht për atë forcë politike që ka ndërtuar veprimtarinë e saj në emër të jetës së qytetarëve."

e.l/NOA

KOMENTE