Tiranë, 26 prill NOA - Kryeministri Sali Berisha drejtoi sot një mbledhje të posaçme qeverie ku deklaroi zyrtarisht se më datën 28 prill 2009, do të paraqitet në Pragë, kërkesa e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian.
Berisha duke komentuar vendimin, tha se reformat e realizuara me sukses bënë të mundur që në një hark kohor të shkurtër Shqipëria të ftohet për të paraqitur kërkesën për statusin e kandidatit.
"Reformat bënë të mundur që ministrat e Jashtëm të 27 vendeve
anëtare të shpallin suksesin e reformave të qeverisë shqiptare si frymëzuese për vendet e tjera të rajonit", - theksoi Kryeministri në mbledhjen e posaçme të Këshillit të Ministrave, ku krahas ministrave të kabinetit qeveritar, ishin të pranishëm dhe drejtues të institucioneve dhe agjencive kryesore të shtetit.
Berisha evidentoi edhe faktin se në Pragë "ne shkojmë me konsensusin më të gjerë. Këtë akt e mirëpresin 96 për qind e qytetarëve shqiptarë".
Në përfundim Kryeministri lexoi para mediave dhe më pas firmosi tekstin e letrës përkatëse që ai i drejton Presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian, Mirek Topolanek, ku bëhet i ditur vendimi i qeverisë shqiptare për paraqitjen e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Europian.
Më poshtë vijon letra e plotë:
"Shkëlqesia juaj, zoti President!
Në emër të Republikës së Shqipërisë, në vijim të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të datës 29 janar 2009, mbështetur në aspiratën dhe vullnetin mbizotërues të popullit shqiptar për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian, kemi nderin që, në përputhje me nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Evropian, të paraqesim aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Përfitojmë nga rasti për t'i ripërsëritur Shkëlqesisë Suaj sigurimet e konsideratës sonë më të lartë".
e.l/NOA