Shkodër 27 prill NOA - Një i vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i aksidenteve që kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit në qytetin e Shkodrës.
Policia regjistroi dy aksidente rrugore për të cilat nisi hetimet me qëllim zbardhjen e rrethanave.
Mësohet se aksidenti i parë ndodhi në aksin rrugore Barbullush-Kukel, në vendin e quajtur "Guradec", kur Ervis Nuku, 20-vjeç, duke drejtuar motoçikletën e tij pa targa tip-Dayang, është përplasur me një motoçikletë tip-Yamaha, pa targa, që drejtohej nga 76-vjeçari Mark Ndoja. Për pasojë ky i fundit ka gjetur vdekjen e menjëhershme ndërsa u dëmtua rëndë pasagjerja M. Ndoja, 74-vjeçe. Ervis Nuku, aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, dhe ndaj tij policia ka marrë masën e arrestit pasi dyshohet se është shkaktari i këtij aksidenti.
Ndërkohë që ngjarje tjetër rrugore u regjistrua në lagjen "Liria", të qytetit Shkodrës, kur një automjeti tip-Benz me targa SH 4779 E, që drejtohej nga 42-vjeçari Zef Prela, është përplasur me një biçiklete, me të cilën udhëtonte 78-vjeçari Sh. Bajraktari.
Për pasojë ka marrë dëmtime drejtuesi i biçikletës, i cili aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia bëri të ditur se aksidenti ndodhi si pasojë e ndërprerjes së rrugës nga ana e drejtuesit të biçikletës dhe drejtuesi i automjetit ka bërë një manovrim të gabuar, pasi ishte në gjendje të dehur.
k.k/NOA