English

Avokati i Popullit: Të ndalohet pjesëmarrja e fëmijëve në fushata elektorale

Tiranë 27 prill NOA - Avokati i Popullit kërkon të ndalohet përdorimi i fëmijëve në fushata elektorale.

Me anë të një rekomandimi Avokati i Popullit i ka kërkuar kryeministrit dhe ministrit të Arsimit të marrin masa që fëmijët të mos përdoren gjatë fushatave elektorale.

 "Avokati i Popullit ka rekomanduar disa herë që në Kodet Elektorale të miratohet një dispozitë që të ndalohet pjesëmarrja e fëmijëve në mitingje dhe aktivitete të tjera elektorale. Por edhe kohët e fundit, duke qenë në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit 2009, konstatohet përdorimi i shkollave dhe fëmijëve në aktivitete politike me karakter partiak" thuhej në rekomandimin e Avokatit të Popullit.

Më tej në rekomandim thuhet -"Në këto raste vërejmë forma të ndryshme të përfshirjes së fëmijëve si element "dekorativ" apo për qëllime simbolike për të rritur numrin e pjesëmarrësve në aktivitete. Në jo pak raste në tubimet politike gjen, shprehje gjuhë, e konfliktualitetit dhe akuzave respektive tepër të rënda. Ndaj këto "aktivitete" janë në kundërshtim me edukimin shkollor".

Në këto rrethana Avokati i Popullit rekomandon ministrinë e Arsimit të nxjerrë një urdhër për të gjitha Drejtoritë Arsimore për të ndaluar përdorimin e shkollave dhe pjesëmarrjen e nxënësve të sistemit 9-vjeçar dhe atij të mesëm, si dhe të mësuesve të këtyre shkollave gjatë orarit të mësimit në mitingjet apo aktivitetet elektorale të forcave të ndryshme politike të vendit tonë.

k.k/NOA

KOMENTE