English

Berisha, pas takimit me Karamanlis: Me Greqinë nuk kemi asnjë çështje të hapur

Tiranë, 27 prill NOA - Lajm dhe foto Update - Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim Kryeministrin e Republikës së Greqisë, Kostas Karamanlis dhe delegacionin që e shoqëronte dhe pas takimit deklaroi se mes dy vendeve nuk ka ndonjë çështje të hapur.

Pas takimit, në praninë e të dy Kryeministrave, u nënshkrua Marrëveshja midis Republikës së Greqisë dhe Republikës së Shqipërisë "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të Shelfit Kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare", nga Ministri i Punëve të Jashtme Lulëzim Basha dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis.

Më pas, të dy Kryeministrat dhanë nga një deklaratë për mediat, kurse kishin planifikuar që më parë, sikundër bënë, që të mos ketë anojë pyetje nga gazetarët.

Berisha

Shefi i qeverisë shqiptar Sali Berisha theksoi se "marrëdhëniet tona politike janë me të vërtetë të shkëlqyera dhe shumë të shëndetshme", duke shtuar se "ne nënshkruam një marrëveshje dhe një tjetër është gati".

Këtu erdhi dhe deklarata që pritet të ndezë debat sidomos në radhët e çamëve që konsiderojnë çështje të hapur, pronat e tyre në Greqi: "Ne konstatuam se nuk ka probleme midis vendeve tona dhe ato janë zgjidhur nëpërmjet shpirtit të dialogut dhe bashkëpunimit", - deklaroi Berisha.

Më tej ai foli për bashkëpunimin mes dy vendeve: "Greqia po inkurajon investitorët e saj të vijnë të investojnë në Shqipëri. Ne jemi shumë të lumtur që, më shumë se 1 miliard dollarë amerikanë janë investuar në Shqipëri nga investitorë grek dhe këto janë investuar në të gjitha fushat; telekomunikacion, shëndetësi, arsim, miniera, në çdo fushë. Gjithashtu, jemi shumë mirënjohës për financimet e Fondit Helenik për disa projekte shumë të rëndësishme, midis të cilave është autostrada Konispol-Sarandë, si dhe disa projekte të tjera të rëndësishme. Vendet tona po punojnë bashkërisht, në mënyrë të suksesshme, për të luftuar krimin e organizuar", - tha Berisha.

Kurse citoi se "Kryeministri Karamanlis më siguroi se ai dhe qeveria e tij do të mbështesin ambiciet e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, sikurse, unë e sigurova atë se, për mua dhe qeverinë time, ky proces duhet të jetë i mbështetur në performancën e vendit, sepse kjo është në interesin e qytetarëve të Shqipërisë".

Kryeministri shqiptar pranoi se gjatë bisedimeve, diskutuan edhe për minoritetin grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptar në Greqi.

"Jemi shumë të gëzuar për progresin në të gjitha aspektet dhe pa dyshim e siguroj Kryeministrin se Shqipëria është plotësisht e angazhuar për respekt të plotë, bashkëpunim dhe është fokusi i qeverisë sime të investojë dhe të mbështesë komunitetet minoritare, në mënyrë që të ndryshohet pozitivisht jeta në to", - tha Berisha.

Karamanlis

Kryeministri Karamanlis uroi fillimisht "Kryeministrin Berisha, qeverinë shqiptare dhe popullin mik shqiptar, për këtë hap historik përpara, një hap i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por në të njëjtën kohë për paqen, stabilitetin dhe marrëdhëniet e mira mes fqinjësh në rajonin e Ballkanit".

Ai siguroi se Greqia mbetet një fqinj i mirë dhe mik i besueshëm, një aleat brenda familjes së NATO-s dhe një mbështetës i kursit të Shqipërisë drejt institucioneve europiane.

"Ne mbështesim dhe inkurajojmë perspektivën evropiane të Shqipërisë, si dhe të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor", - deklaroi z. Karamanlis.

Kurse bëri një kujtesë: "Me të vërtetë, ne ishim një ndër anëtarët e parë të Bashkimit Evropian që e mbështetëm Shqipërinë. Greqia ishte gjithashtu midis të parëve që pa shumë pozitivisht perspektivën e liberalizimit të regjimit të vizave, ashtu sikurse është vënë në dukje në axhendën e Selanikut, në vitin 2003. Që nga ajo kohë, ne ripërsërisim angazhimin tonë dhe e kemi ndjekur nga afër progresin e bërë deri tani për aplikimin e reformave të nevojshme, që siç e dini është plotësimi i disa kritereve të caktuara".

Në fund të deklaratës së tij, z. Karamanlis dha edhe disa këshilla për vendin tonë: "Zgjedhjet sipas standardeve evropiane, aplikimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit, respekti i plotë i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve janë hapa shumë të rëndësishëm në drejtim të integrimit".

Karamanlis ka folur dhe për marrëveshjet e firmosura. Ai tha se u arrit përvijimi i vijës kontinentale dhe zonës detare midis Greqisë dhe Shqipërisë.

"Fatmirësisht, e njëjta frymë bashkëpunimi është vërejtur për marrëveshjen e nënshkruar disa muaj me parë, për varrezat e ushtarëve grek që kanë vdekur në Shqipëri gjatë luftës së madhe italiane në 1940-1941", - tha Karamanlis.

Në vijim, ai lajmëroi pjesëmarrjen e Shqipërisë në "atë që ne e quajmë procedura e Athinës, një iniciativë greke që ka të bëjë me krijimin e një tregu të përbashkët energjie në Evropën juglindor".

e.l/NOA

KOMENTE