Tiranë 27 prill NOA -Kryeministri grek Kostas Karamanlis gjatë vizitës së tij sot në Tiranë konfirmoi bashkëpunimin mes dy vendeve si dhe vuri theksin mbi minoritetin grek si nyja që lidh Shqipërinë me Greqinë. Ndërsa në mesditë u firmos marrëveshja e kufijve detarë.
"Minoriteti grek që jeton në Shqipëri është nyja që lidh ngushtë Shqipërinë me Greqinë" u shpreh gjatë një konference për shtyp kryeministri grek Karamanlis .
Nga ana e tij kryeministri shqiptar Sali Berisha garantoi homologun e tij grek se do të mbështesë dhe mbrojë minoritetin grek në të gjitha aspektet.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp dhënë sot pasdite në selinë e kryeministrisë në Tiranë, Berisha u shpreh se gjatë temave që u diskutuan ishte edhe ajo e emigrantëve shqiptarë në Greqi të cilët po japin një kontribut.  Ndërkohë në mesditë në Ministrinë e Punëve të Jashtme u nënshkrua marrëveshja për kufijtë detarë, mes ministrave të jashtëm të dy vendeve.
Sipas marrëveshjes, kufiri ujor është ndarë në masë të barabartë për të dyja shtetet me rreth 150 pika ndarëse (nga Korfuzi deri në Vlorë) dhe e vetmja pikë, e cila nuk është përcaktuar akoma, por që pritet të marrë një përgjigje të shpejtë, është ajo ku ujërat detare bashkojnë të tria vendet, Shqipërinë, Greqinë dhe Italinë.
"Marrëveshjet janë një hap më përpara mes dy vendeve dhe bashkëpunim i fuqishëm mes tyre", u shpreh Karamanlis për marrëveshjet e nënshkruara dhe për varrezat greke në Shqipëri.
"Shqipëria vetëm pak javë më parë u bë anëtare e NATO-s. Uroj qeverinë, popullin shqiptar për këtë akt historik. Kjo dëshmon një akt të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por paqen e stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Greqia mbetet një mik i mirë dhe një aleat në familjen dhe një mbështetës i Shqipërisë dhe përparimit europian. Inkurajojmë Shqipërinë për perspektivën europiane", u shpreh Karamanlis. Megjithëse një ditë më parë çamët organizuan një protestë për ngritjen e një Obelisku në tokën çame ku të përkujtohen shqiptarë që u përndoqën dhe u vranë nga grekët, çështja e tyre nuk u diskutua sot nga kryeministri i vendit dhe homologu i tij grek.
k.k/NOA