Tiranë, 27 Prill NOA - Kryeministri Sali Berisha do të niset nesër për një vizitë në Pragë, Çeki, i shoqëruar nga Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha dhe Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
Atje, Berisha pritet të dorëzojë Aplikimin për Anëtarësim në BE të Republikës së Shqipërisë Kryeministrit të Republikës së Çekisë, Mirek Topolanek.
Gjatë kësaj vizite një ditore, Kryeministri do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin çek, Mirek Topolanek dhe me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në BE, Michael Leigh, takim i cili do të pasohet nga bisedime mes dy delegacioneve, informoi për agjencinë e lajmeve NOA, një burim zyrtar i Kryeministrisë.
Në përfundim të bisedimeve do të zhvillohet një Konferencë e përbashkët për Shtyp ku Kryeministri Berisha, Kryeministri i Çekisë, Topolanek dhe Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në BE, Michael Leigh, do t'i përgjigjen interesimit të mediave lidhur me Aplikimin e Shqipërisë për Statusin e Vendit Kandidat në BE.
Kjo konferencë do të pasohet nga akti ceremonial i Dorëzimit të Aplikimit për Anëtarësim në BE e Republikës së Shqipërisë nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Kryeministrit të Republikës së Çekisë, Mirek Topolanek.
Pas kësaj ceremonie Kryeministri i Çekisë, Mirek Topolanek shtron një drekë zyrtare për nder të Kryeministrit Berisha dhe të delegacionit shqiptar që e shoqëron atë.
Vizita e Kryeministrit Berisha në Çeki do të vijojë me Ceremoninë solemne të Vendosjes së Kurorës në Pod Emauzy Square.
Më pas Kryeministri Berisha do të pritet në Kështjellën e Pragës nga Presidenti i Republikës së Çekisë, Václav Klaus, do të zhvillojë një takim me  Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Çekisë Miloslav VlÄek si dhe me zv/Presidentin e Senatit të Parlamentit të Republikës Çeke, Z. Jiřà LiÅ¡ka.
e.l/NOA