Shkup, 27 prill, NOA - Ish-kryeparlamentari i Maqedonisë, Lubisha Georgievski në muajin maj do të fillojë detyrën e re si ambasador i Maqedonisë në Serbi, ndërkohë, oas këtij akti pritet vendosja e marrëdhënieve diplomatike edhe me Kosovën.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç tashmë e ka nënshkruar pranimin për ambasadorin Lubisha Gjeorgjievski.
Sipas procedurave ligjore, presidenti Branko Cërvenkovski deri në ditën e fundit të mandatit të tij, 12 maj, ka të drejtë ta nënshkruajë dekretin.
Presidenti Cërvenkovski tashmë është pajtuar me zgjedhjen e Gjeorgjievskit për ambasador të ri në Serbi dhe nga kabineti i tij theksojnë se presim njoftim me shkrim nga Ministria e Jashtme, i cili po përgatitet.
Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç më shtatë maj do ta vizitojë Maqedoninë, vizitë e cila thuhet se do ti normalizojë marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Serbisë.
Tashmë gjashtë muaj Maqedonia nuk ka ambasador në Serbi, pas largimit të ambasadorit Aleksandar Vasilevski më 10 tetor të vitit të kaluar, kur Shkupi njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, pas rivendosjes së lidhjeve diplomatike me Serbinë, sipas informacioneve të agjencisë së lajmeve INA ka fundi i muajit maj dhe fillimi i muajit qershor të këtij vitit do të vendosen marrëdhëniet diplomatike edhe me shtetin e Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se janë në pritje të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shkupin, edhe pse kanë kaluar afër gjashtë muaj kur Maqedonia njohu shtetin e Kosovës. Kjo është theksuar për agjencinë e lajmeve "INA" nga këshilltarja e lartë e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Albana Beqiri. "Kosova është e interesuar për marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet e rajonit përfshirë edhe Maqedoninë. Ministria e Jashtme e Kosovës i ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme dhe ka parashtruar kërkesën për hapjen e ambasadës edhe në Maqedoni këtë kërkesë duhet ta dekretojë presidenti i Kosovës", ka theksuar për "INA", Albana Beqiri. Sipas saj, pasi presidenti të dekretojë vendimin, atëherë do të hapet konkursi për zgjedhjen e ambasadorit. "Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike nuk kushtëzohet aspak nga asnjëra palë", kanë theksuar pranë MPJ-së në Kosovë.
NOA-INA