English

Ngjarje e rëndë në Vlorë, i rekrutuari me dhunë, në koma pas "arratisë"

Vlorë 27 prill NOA - Një 18-vjeçar nga Kukësi po lufton me vdekjen, pas një aksidenti që pësoi dy ditë më parë gjatë tentativës për t'i shpëtuar shërbimit ushtarak ku e kishin rekrutuar me forcë.

Izmir Gjoka i cili ishte rekrutuar me prurjet e fundit në repartin e Bunavisë në Vlorë ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë pasi ka tentuar dezertimin duke u hedhur nga një mjet i rëndë të ushtrisë.

Mësohet se ai është kacavierë në pjesën e poshtme të mjetit, ndërsa pasi ka bërë vetëm pak metra në atë gjendje është hedhur duke u aksidentuar kështu nga mjeti që ishte në ecje.

Makina e ka shtypur në pjesën e kokës, duke i shkaktuar plagë të rënda 18-vjecarit, i cili ende po lufton me jetën.

Fillimisht ai u transportua menjëherë në spitalin rajonal të Vlorës, por mjekët treguan se gjendja shëndetësore e adoleshentin ka qenë mjaft e rëndë, si pasojë e plagëve të rënda të marra në kokë.

Sipas mjekëve 18-vjeçari kishte pësuar çarje të kafkës dhe u transportua menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë për ndihmë më të specializuar.

Izmir Gjoka nga Kukësi ishte pjesë e kontigjentit prej 120 rekrutësh, të cilët u morën me dhunë ditët e fundit për të plotësuar numrin e rekrutëve që do të kryenin shërbimin ushtarak të detyruar, dhe u soll rreth 4 ditë më parë në Bunavi, për kryerjen e stërvitjes bazë që bëhet në këtë repart, përpara shpërndarjes në pika e reparte të ndryshme të vendit.

Adoleshenti ishte marrë dhunshëm, dhe nuk ka dëshiruar të kryejë shërbimin ushtarak të detyruar ndaj dhe tentoi dezertimin, duke përfunduar tragjikisht aventura e tij drejt "lirisë" me aksident të rëndë ku ai tashmë rrezikon dhe jetën.

Drejtues të repartit të Bunavisë, në afërsi të të cilit ndodhi ngjarja, dhe drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin nuk kanë dhënë shpjegime për këtë rast, madje kanë tentuar ta mbajnë të fshehtë atë.

Mësohet se ata do ta çojnë për ndjekje penale 18-vjeçarin Gjoka, për veprën penale të dezertimit, nëse ai arrin ti shpëtoje vdekjes.

k.k/NOA

KOMENTE