Shkodër, 27 prill NOA - Një person ka gjetur vdekjen dhe një i dytë ka mbetur i plagosur, ky i fundit kryetar komune, pas një batareje krismash arme zjarri dhe përdorimit të një thike.
Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA, informon se ngjarja ka ndodhur sot në mbrëmje rreth orës 19.40 në lagjen "Skanderbeg" të qytetit të Shkodrës, përballë spitalit, në një lokal ku ndodheshin që të dy.
I vrarë nga sulmi me arme zjarri, ka mbetur Dod Hilaj, 49 vjeç, lindur e banues në fshatin Kir të komunës Pult, rrethi Shkodër.
Ndërkohë, si pasojë e sulmit të dhunshëm, ka mbetur i plagosur dhe Martin Cubi, me detyrë, kryetar i komunës Pult në rrethin Shkodër, i cili dyshohet si autor i vrasjes së Hilajt.
Nga hetimet e para bëhet e ditur se gjithçka erdhi pas një konflikti që mendohet se ka lindur në çast, mes të ndjerit Dod Hilaj dhe Martin Cubit.
Sipas hetimeve, Martin Cubi, ndërsa qëndronte në një lokal me Hilajn, është konfliktuar me të. Në një moment, Hiolaj ka nxjerrë një thikë duke e goditur kryekomunarin tre herë me thikë.
Cubi, ndërsa u plagos, nxori pistoletën dhe qëlloi Hilajn duke e lënë të vdekur në vend.
Burime në spitalin vendor ku u dërgua i plagosuri, thanë për agjencinë e lajmeve NOA, se plaga që kryetari i komunës Pult ka marrë në trup, i rrezikon jetën.
r.d/NOA