Tiranë 27 prill NOA Foto update - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Pallatin e Brigadave, Presidentin e Rajonit të Venetos në Itali, Xhankarlo Galan, dhe delegacionin që e shoqëron, në kuadër të një vizite pune në Shqipëri.
"Kjo tregon për një vullnet të përbashkët politik në marrëdhëniet midis vendeve tona dhe dëshirën, me ketë rast, për rritjen e tyre edhe me rajonin e Venetos" - u shpreh Presidenti Topi gjatë takimit me presidentin e Venetos. Gjithashtu, presidenti Topi shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për të ecur drejt integrimit euroatlantik.
Kreu i shtetit shtoi se bashkëpunimi midis dy vendeve, por edhe me rajonin e Venetos, do të lehtësojë projektet e përbashkëta në të ardhmen si dhe do të rrisë shkëmbimet tregtare, ekonomike, kulturore dhe shkencore. Presidenti i Rajonit të Venetos në Itali, Xhankarlo Galan, në fjalën e tij rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për përmbushjen e ëndrrës integruese të Shqipërisë në familjen europiane.
Gjithashtu, Presidenti i Rajonit të Venetos siguroi Presidentin Topi për vazhdimin e bashkëpunimit të gjithanshëm, kryesisht në sektorin e infrastrukturës, zhvillimit ekonomik, turizmit, kulturës etj.
k.k/NOA