Pragë, 28 prill, NOA - Akti i dorëzimit pranë Republikës Çeke të kërkesës për aplikim mbi statusin si vend anëtar i Bashkimit Evropian, përbën një moment historik të rikthimit të Shqipërisë drejt familjes evropiane, nga e cila u nda fizikisht, por jo shpirtërisht për një periudhë kaq të gjatë kohore.
Kështu do të shprehej kryeministri Sali Berisha gjatë ceremonisë speciale që Presidenca Çeke ka organizuar me rastin e dorëzimit të kërkesës në fjalë nga pala shqiptare.
"Ju falënderoj për pritjen e ngrohtë dhe bisedimet që patëm. Eshtë mirënjohja jonë që të mbështetim Republikën Çeke dhe ecurinë e këtij vendi mik, pasi ai na ka mbështetur në rrugën tonë drejt integrimit", iu drejtua kryeministri Berisha homologut të tij çek, Topolanek.
Më tej, kreu i qeverisë shqiptare, ka theksuar faktin se 96 përqind e shqiptarëve janë pro integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian.
Ai ka shtuar para përfaqësuesve evropianë se vendi ynë e merr aktin e dorëzimit si një moment të madh obligimi për të përmbushur të gjitha kërkesat e duhura nga ana e Bashkimit Evropian për të merituar një ditë statusin "anëtar" i kësaj familje të madhe.
Në këtë mënyrë, kryeministri shqiptar ka përmbyllur aktin e dorëzimit të kërkesës për aplikim të Shqipërisë në BE mbi statusin e vendit kandidat, edhe në prani të ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha si dhe ministres së Integrimit, Majlinda Bregu.
n.e/NOA