English

Biznesmeni i ndërtimeve Ilirian Çela, objekt i supervjedhjes 200 mijë euro

Tiranë 28 prill NOA Foto Update - Supervjedhja që ndodhi sot pas mesdite në qendër të kryeqytetit, kishte për viktimë, Ilirian Çela, biznesmen i njohur në tiranë, në fushën e ndërtimeve.

"Shënjestra" e vjedhjes ka qenë banesa e biznesmenit Ilirian Çela, prej nga janë marrë më shumë se 200 mijë euro.

Ngjarja ndodhi mesditën e sotme në rrugën "Hamit Shijaku" në Tiranë, përbri bulevardit "Zogu i Parë", kur persona të paidentifikuar janë ngjitur në banesën e biznesmenit që ndodhet në katin e nëntë të një pallati shumëkatësh.

Mungesa e banorëve në banesë, të cilët aktualisht ndodhen jashtë shtetit dyshohet të jetë mësuar më parë nga autorët të cilët kanë guxuar të kryejnë vjedhjen në mes të ditës.

Ata kanë hyrë në ambientet e brendshme të banesës dhe janë afruar në kasafortë duke e marrë atë me vete.

Asnjë banor i pallatit nuk ka rënë në gjurmët e autorëve të cilët mendohen se janë më shume se një.

Pasi kanë marrë kasafortën autorët janë larguar duke u shpëtuar prangave të policisë.

Vjedhja është konstatuar vetëm pak minuta më vonë për të cilën është vënë në alarm edhe policia.

Mësohet se për ngjarjen është sinjalizuar pronari i shtëpisë i cili pritet të mbërrijë.

Burime nga policia thanë se paraprakisht dyshohet se vjedhja kap shumën e 200 mijë eurove por dyshohet se në kasafortë ka pasur më shumë para.

Të njëjtat burime shtuan se po punohet për kapjen e autorëve dhe nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë njohur më parë familjen e biznesmenit Ilirian Çela.

k.k/NOA

KOMENTE