Tiranë, 28 prill NOA - Dimitris Santixis është emëruar nga Piraeus Bank dhe Bordi Drejtues i Tirana Bank në pozicionin e ri të Drejtorit të Menaxhimit të Tirana Bank.
Santixis sjell në Tirana Bank një karrierë të gjatë dhe mbresëlënëse në sektorin bankar dhe në sipërmarrje private, e përfituar tek disa nga institucionet bankare dhe kompanitë private në Greqi dhe SHBA.
Ndërmjet të tjerave Santixis ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme si Zv. Guvernator dhe Zv. President i Bordit Drejtues tek Banka Bujqësore e Greqisë, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit tek Banka Komerciale Greke, Drejtor i korporatave tek Egnatia Bank, si dhe Drejtor i Investimeve Bankare tek Hios-bank në Greqi.
Eksperienca e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për disa vjet, ku ka punuar në kompani ndërkombëtare si Colgate Palmolive Co dhe Bristol Meyers Squibb e ka pasuruar më tej mënyrën e tij të mendimit dhe aftësinë për të punuar me kultura dhe ambiente të ndryshme.
Z. Santixis, ka shërbyer gjithashtu si Anëtar i Bordit Drejtues në shumë organizata profesionale dhe gjithashtu ka ofruar dijet e tij nëpër konferenca të ndryshme dhe seminarë të zhvilluar mbi tema të ndryshme bankare.
Z. Santixis ka një diplomë universitare si inxhinier civil nga universiteti kombëtar teknik i Athinës, dhe një MBA në Financë dhe Biznes Ndërkombëtar, nga universiteti New York në SHBA. Ai gjithashtu ka përfituar bursa nga Fondacioni Onassis, NATO dhe New York University.
e.l/NOA