English

"Dutko Worldwide": Brukseli vlerëson se aplikimi për BE ishte një hap i gabuar

Uashington DC, 28 Prill NOA - Shqipëria këshillohet të shtyjë aplikimin për në BE deri në momentin kur zyrtarët e lartë evropianë të vendosin nëse zgjedhjet e 28 Qershorit janë brenda standardeve ndërkombëtare.

Këtë e bëri të ditur sot nga Uashingtoni, përmes një deklarate për media, Dutko Worldwide, një kompani e njohur në SHBA për këshillim ligjor, e cila ofron konsulentë të plotë për qeveritë për çështjet e menaxhimit.

Kompania citon edhe pretendimin se Kryeministri Sali Berisha po aplikon për statusin e vendit kandidat pavarësisht krizës globale dhe faktit që zgjedhjet e ardhshme nuk mund të jenë të lira dhe të ndershme.

Sipas Dutko Worldwide, "zyrtarët në Bruksel i janë përgjigjur sot lajmërimit të Berishës, që Shqipëria do të aplikojë për në BE me shqetësimin e fortë që vendi nuk është i përgatitur për të arritur zgjedhjet sipas standardeve evropiane".

Më tej, Dutko Worldwide thotë se zyrtarët e BE-së e këshilluan Berishën, që të presë deri në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit përpara se të aplikojë për vendin kandidat në BE.

Kompania këshillimore amerikane që në Shqipëri, po menaxhon fushatën elektorale të LSI, thotë se një numër shqetësimesh për zgjedhjet që vijnë janë ngritur edhe nga ish-kryeministri dhe kreu aktual i LSI-së, Ilir Meta përgjatë vizitës së tij në 13 Prill në Uashington.

"Zgjedhjet e 28 Qershorit përbëjnë një moment kritik për Shqipërinë, për të provuar edhe aftësinë tonë për të qenë një vend i integruar" vlerëson Dutko Worldwide, duke përdorur citime të kreut të LSI.

Më tej, Dutko Worldwide evidenton edhe se "monitoruesit e OSBE-së që kanë ndjekur zgjedhjet e 2005-ës dhe 2007-ës kanë theksuar se ato nuk i kanë arritur standardet".

Rreth Dutko Worldwide Dutko Worldwide e cila ka marrë përsipër menaxhimin e fushatës elektorale të LSI, është një kompani shumë e njohur në SHBA për këshillim ligjor. Ajo ofron konsulentë të plotë për qeveritë për çështjet e menaxhimit. Ajo po ashtu, ofron këshilla strategjike dhe ndihmon në ndërtimin e partneriteteve publike-private me shtete dhe institucione ndërkombëtare, në të gjitha nivelet e qeverisjes.

e.l/NOA

KOMENTE