English

Grabitje me dhunë tek Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë

Tiranë, 28 prill NOA - Një grabitje me dhunë ka ndodhur në qendër të Tiranës. Viktimë e krimit ka qenë një qytetar i cili u përball i pambrojtur, me dhunë fizike dhe plaçkitje.

Lajmi konfirmohet për agjencinë e lajmeve NOA edhe nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Ata thanë sot se specialistët e seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë/Armë dhe të Shkatërrimit të Pronës, kanë pranuar kallëzimin e deponuar nga një qytetar i Tiranës.

I dëmtuari ka treguar se në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" pranë lulishtes, i kanë vjedhur me dhunë shumë e parave prej shtatë mijë lekësh.

Kërkimet policore, kanë qenë efektive sepse policia ka identifikuar si autor të agresionit, 31-vjeçarin Armand Bashkim Sefa, lindur dhe banues në Tiranë

Nga hetimet doli se Sefa, nën ushtrimin e dhunës fizike, ka arritur të grabisë qytetarin e pambrojtur dhe më tej është zhdukur në drejtim të paditur, në përpjekje për t'i shpëtuar prangave policore.

Policia nuk konfirmoi arrestimin e mundshëm të të dyshuarit, por tha se dosja me hetimet ndaj tij, do t'i kalojë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "vjedhjes me dhunë".

Dukuria e grabitjeve të dhunshme të qytetarëve të pambrojtur është e shpeshtë në kryeqytet. Fakt edhe më alarmues është se ato po kryhen gjithnjë dhe më shumë, në mes të metropolit, në zonat më qendrore të tij dhe në orë të ndryshme të ditës.

a.k/NOA

KOMENTE