Meksiko, 28 prill, NOA - Ka kaluar shifrën 150, numri i viktimave të shkaktuar nga virusi i derrave në Meksikë. Organizata Botërore e Shëndetësisë paraqitet e alarmuar dhe pohon se epidemia në shkallë globale nuk është e pashmangshme, duke shtuar se qeveritë e të gjitha vendeve duhet të përqendrohen në zbutjen e pasojave të kësaj sëmundje.
Por ajo që vihet re është edhe shtimi i alarmit në vendet e tjera të botës, të cilat rezultojnë të jenë prekur nga kjo sëmundje.
Kështu, dyshime për praninë e virusit ka në Australi, Kili, Danimarkë, Kolumbi, Izrael, Francë, Zelanda e Re, Koreja e Jugut, Suedi dhe Zvicër.
Shtetet e Bashkuara nga ana e tyre kanë njoftuar 45 raste të prekura nga gripi i derrave.
Sëmundja ndërkohë duhet të jetë përhapur edhe në Evropë, por pronarët e derrave nuk janë të obliguar të lajmërojnë për të. Prandaj nuk dihet me saktësi, nëse kjo sëmundje me të vërtetë ekziston edhe në Evropë.
Janë dy gjëra që shqetësojnë mjekësinë e sotme: Së pari, në kohën e pandemisë së vitit 1918, e njohur edhe si "Gripi i Spanjës", kishte një valë infektimesh të derrave nga gripi. Dhe së dyti, derri njihet si bartës i virusit, ku virusët shumëzohet dhe përzihen me virusë të tjerë.
Shkencëtarët mendojnë se pikërisht një përzierje e tillë virusesh ka ndodhur në vitin 1918, në vitin 1957 me gripin aziatik dhe në vitin 1968 me gripin e Hongkongut. Pra viruset e gripit të shpendëve dhe viruset aspak të rrezikshëm të njerëzve janë përzier dhe kanë kaluar në derra, duke prodhuar kështu një virus të rrezikshëm.
Organizata Botërore e Shëndetësisë pohon se virusi më i ri në Meksikë është një tip i ri i virusit H1N1, i cili paraqitet tek njerëzit, shpendët dhe derrat.
n.e/NOA