Tiranë, 28 Prill NOA - Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), në bashkëpunim me USAID-in, zhvillon nesër (e Mërkurë),
ora 11.00, aktivitetin "ILDKP, me dyer të hapura", nëpërmjet të cilit synohet arritja e nivelit të lartë të transparencës së institucionit.
Aktiviteti, në të cilin janë të ftuar të marrin pjesë qytetarët, përfaqësues të organizmave qeveritarë e media, ka për qëllim njohjen e publikut të gjerë me proceset administrative dhe investiguese që kryen Inspektorati i Lartë, deklaroi për agjencinë e lajmeve NOA, Albi Serani, Përgjegjës për marrëdhëniet me publikun i ILDKP.
Pjesë e aktivitetit "ILDKP me dyer të hapura" do të jetë edhe procedura e hedhjes së shortit për përzgjedhjen e 4 për qind të zyrtarëve që do t'i nënshtrohen kontrollit të plotë.
Këtë vit, për herë të parë, përzgjedhës të zyrtarëve në short do të jetë vetë publiku, i cili do të ketë mundësinë të tërheqë zarfe të mbyllur, secili me nga një numër që i korrespondon emrit të një subjekti.
Po ashtu, pjesë e këtij aktiviteti është edhe publikimi i listës së zyrtarëve që nuk respektuar afatin ligjor për dorëzimin e deklaratës së interesave private (pasurisë).
Për median, aktivitetet më me interes janë një konferencë për shtyp e Inspektorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla; shorti, si dhe publikimi i listës së zyrtarëve që nuk kanë respektuar afatet e dorëzimit të deklaratave.
e.l/NOA