Vlorë, 28 prill NOA - Dhe telashet nuk kanë të sosur për ish-deputetin e Vlorës Vladimir Fejzo. Pasi u akuzua për shpërdorim detyre, duke përfunduar me këtë akuzë deri në gjykatë, Fejzo tani përballet me dyshimet e policisë se është i implikuar në trafikun e mjeteve motorike.
Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA, informon se pasditen e sotme, policia e Vlorës publikoi zyrtarisht faktin se ka nisur hetimet në gjendje të lirë në ngarkim të z.Vladimir Fejzo, ish-deputet i këtij qyteti.
Nga hetimet ka dalë se pas një kontrolli që është bërë një automjeti X5 ngjyrë e zezë, me targa angleze EY 58 XUT ka rezultuar se ky automjet ishte vjedhur në Britaninë e Madhe në datën 13 prill 2009, pra rreth dy javë më parë.
Kjo makinë i është bllokuar sot ish-deputetit Fejzo. Mësohet se sinjalizimet për këtë aksion të policisë, kishin ardhur para pak ditësh, kur automjeti është sjellë nga Italia në Shqipëri, nëpërmjet portit të Vlorës.
Makina ishte denoncuar si e vjedhur dhe autoritetet policore shqiptare morën informacion për këtë fakt. Ata, thanë se kur bllokuan makinën që e gjetën në duart e Fejzos, ky i fundit deklaroi se e kishte blerë makinën, pa e ditur se ajo ishte e vjedhur.
Vladimir Fejzo ka qenë deputet i Partisë Socialiste që prej vitit 1997 deri në vitin 2000, kohë kur dha dorëheqjen për të kandiduar për kryetar bashkie.
Në vitin 2005 ka rikandiduar përsëri për deputet por këtë herë si i pavarur përballë Bujar Leskaj dhe Mezan Malaj, por disa ditë para votimit është përjashtuar nga gara për deputet.
Ish deputeti Vladimir Fejzo është hetuar me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe për këtë, një dosje shkoi për shqyrtim në gjykatën e Rrethit Tiranë, në vitin 2007.
m.m/NOA