Tiranë, 28 Prill NOA Update - Përfaqësues të kompanisë çeke "Cez" e cila bleu para pak kohësh Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike (OSSH), kanë premtuar sot në një takim me mediat, se me abonentët shqiptarë do të vendoset një raport krejt i ri, në dobi të marrëdhënieve të mira dhe reciproke mes tyre.
Menaxheri i kompanisë, Martin Pacovsky dhe Zv/shefi i bordit, Tomas Pleskac, njëkohësisht, Drejtori i blerjeve të grupit "Çez", Tomas Pleskac, në takimin e sotëm me gazetarë të ekonomisë së mediave të shkruara dhe elektronike, evidentuan se përmirësimi i marrëdhënieve me klientin do të jetë në themel të ndryshimeve që do t'i bëhen ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë nga pronarët e rinj".
Z.Pleskac, lajmëroi se "për t'i dhënë fund abuzimit me faturat e energjisë, do të instalohet një program kompjuterik nëpërmjet të cilit, do të mund të evitohen gabimet njerëzore".
"Ne kemi konstatuar se kjo praktikë ka rezultuar mjaft e suksesshme në Bullgari dhe më gjerë", - ka deklaruar z.Pleskac.
Ai po ashtu, vuri në dukje edhe faktin se "ne synojmë të informatizojnë të gjithë sistemin e faturimit të energjisë dhe arkëtimet me synim që të shmangin sa më shumë kontradiktat, pakënaqësitë dhe përplasjet, mes përdoruesve dhe kompanisë".
Ndërkohë, në takimin me media, u bë e ditur se OSSH do të drejtohet nga një ekip çek i kompanisë "Cez", që do të mbërrijë shumë shpejt në Shqipëri.
Sakaq, kompania ka bërë të ditur se nuk parashikohet prej saj, që të ketë një kërkesë të mundshme për rritje të çmimit të energjisë, para vitit 2010.
Këtu, z.Pleskac, pohoi se në lidhje me nivelin e çmimeve dhe mënyrën e përcaktimit të tyre Shqipëria ka bazat rregullative për çmimin e energjisë, nga më të mirat në Evropë.
"Niveli i çmimeve përcaktohet nga Enti Rregullator i Energjisë, por një kërkesë e re për rritjen e çmimeve, mund të bëhet diku nga viti i ardhshëm", deklaruan drejtuesit e rinj të OSSH.
Aktualisht një konsumator familjar që konsumon deri në 300 kilovat/orë në muaj, paguan 7 lekë kilovatin dhe pesë lekë më shumë, çdo kilovat pas këtij limit të konsumit brenda banesës.
Ndërsa për konsumin e energjisë për shërbime si shkallët, ndriçimi i godinës së banimit etj., çmimi është konstant, 7 lekë për kilovat, pavarësisht sasisë së konsumuar në mënyrë kolektive.
Në takimin e sotëm me mediat, drejtuesit e rinj të OSSH, deklaruan se plot 200 milionë euro kanë vendosur të investojnë gjatë pesë viteve të ardhshme, sidomos për të informatizuar OSSH-në.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, (OSSH) u shit nëpërmjet një tenderi të hapur ndërkombëtar me vlerën 102 milionë euro të 76 për qind të aksioneve, për kompaninë çeke "Cez". Banka Botërore ishte konsulenti i privatizimit të OSSH.
k.e/NOA