English

Kryeprokurorja Ina Rama në Francë, axhendë e ngjeshur takimesh

Tiranë, 29 prill NOA - Prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, Ina Rama, po zhvillon një vizitë disaditore pune në Francë. Takimet kanë nisur nga dita e hënë 27 Prill e do të vijojnë deri në 30 Prill 2009.

Zëdhënësja Holta Zhiti, i tha agjencisë së lajmeve NOA, se programi i vizitës së Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, parasheh një sërë takimesh të rëndësishme, si dhe me përfaqësues të institucioneve homologe dhe të linjës.

Në ditën e parë të qëndrimit në Francë është zhvilluar edhe takimi me Jean-Claude Marin, Prokuror i Republikës pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Parisit (homolog i Prokurorit të Rrethit Gjyqësor).

Po kështu është realizuar vizita në Këshillin e Lartë të Drejtësisë si dhe takimi me Jean-Michel Bruntz, Avokat General, Prokuror pranë Gjykatës së Lartë, Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Gjithashtu ditën e Martë, janë kryer vizita e takime në Gjykatën e shkallës së parë të Parisit, takim me Jacques Degrandi, Kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë të Parisit. Gjatë takimit është diskutuar mbi rolin e hetimit dhe funksionimit të Gjykatave të Krimit.

Një tjetër takim i rëndësishëm është edhe ai me Laurent Le Mesle, Prokuror i Përgjithshëm pranë Gjykatës së Apelit të Parisit, si dhe takimi me Drejtorin e Luftes Kundër Krimit te Organizuar.

Në vijim të vizitës së saj Kryeprokuroria Ina Rama pritet të ketë një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Ndjekjes Penale Jean-Marie Huet.

Prokuroria e Përgjithshme shoqërohet nga Drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda Olsian Çela dhe Drejtoresha e Kabinetit të Prokurores së Përgjithshme Miranda Bushi.

Delegacioni shqiptar shoqërohet nga André Grass, Atashe i Sigurisë së Brendshme pranë Ambasadës Franceze në Tiranë.

e.l/NOA

KOMENTE