English

Sejdiu: Drejtësia ndërkombëtare të zbardhë fatin e personave të zhdukur

Gjakovë, 28 prill, NOA - Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare që të gjejë dhe të nxjerrë para drejtësisë të gjithë autorët e krimeve në luftën e fundit ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, të cilët fshihen anëve të ndryshme të botës, por edhe një pjesë e të cilëve mbrohen nga qeveria serbe.

Duke folur në dhjetëvjetorin e masakrës së Mejës në komunën e Gjakovës, që shënohet edhe si Dita e të Zhdukurve të Kosovës, Presidenti Sejdiu ka theksuar se kjo masakër ishte realizim i vrasjes së planifikuar të një populli. "Ky është një shembull të cilin e gjithë bota demokratike e jo vetëm Kosova duhet ta mbajnë mend, se ishte një poligon në të cilën u mblodhën fëmijët, gratë e të moshuarit dhe u realizua krimi i cili asnjëherë nuk parashkruhet", tha ai.

Presidenti Sejdiu edhe një herë i ka quajtur farsë gjykimet që organizohen në Serbi kinse për gjykimin e atyre që kanë kryer krime në Kosovë. "Janë të kota farsat e gjykimeve që udhëhiqen sot në Serbi, të cilat janë qëllim për të nxënë ecjen e tyre gjoja demokratike në një kompozicion të ri dhe për t'u shkëputur nga ajo logjikë dhe vepër vrastare që kishte Millosheviqi. Por u themi se të gjithë ata që e fshehin krimin dhe që duan t'u bëjnë farsë gjykimeve dhe veprave kriminale janë bashkëpjesëmarrës në ato vepra të liga", ka theksuar Presidenti Sejdiu.

"Mbetet borxh i drejtësisë ndërkombëtare që të ndjekë dhe të qesë para gjyqit të gjithë ata që fshihen. Ata nuk janë vetëm në skuta të botës por janë edhe në mbrojtje të qeverisë serbe", tha në vijim Sejdiu.

Duke ndarë dhimbjen me familjarët e viktimave të masakrës së Mejës dhe duke u shprehur ngushëllime atyre për humbjen e më të dashurve, Presidenti Sejdiu theksoi se "rruga që duhet të ndjekim është rruga e besimit në vetveten, në forcat tona, në secilin njeri të Kosovës, rruga e besimit në aleatët e Kosovës, është rruga e besimit në Zot, rruga e besimit në drejtësi dhe njerëzi".

Edhe me këtë rast Presidenti Sejdiu ka folur për çështjen e të zhdukurve dhe obligimin e vazhdueshëm për kërkimin dhe gjetjen e tyre. "Është borxh i institucioneve të Kosovës që të bëjmë edhe më shumë, sepse derisa fati i mbi njëmijë e sa personave të zhdukur nuk është zbardhur , asnjë familje e Kosovës nuk është e qetë", theksoi Sejdiu. Për të arritur deri te kjo, për të ditur ku janë varret e tyre, vijoi Sejdiu, duhet të intensifikohet puna në bashkëpunim edhe me mekanizmat ndërkombëtarë, të cilët mund të bëjnë trysni më të madhe ndaj Serbisë për dhënien e informatave për të zhdukurit.

NOA-INA

Â

KOMENTE