Nga Glauk Konjufca
Dy komshinj po bisedonin. I pari ia shpreh hidhërimin e tij për ibrikun që komshiu i tij ia kishte pas huazuar kohë më parë, duke iu ankuar se ia kishte kthyer atë të dëmtuar. Procedimi mendor i të akuzuarit në përpjekje për t'u shfajësuar është si vijon:
së pari ai mbron qëndrimin që nuk ia ka kthyer çajnikun të dëmtuar. Pas kësaj rrëshqet në pozicionin se kur e kishte huazuar ibrikun, ai veç kishte pas qenë i dëmtuar. Për t'u barrikaduar në fund në qëndrimin sipas të cilit ai as që kishte huazuar ndonjëherë ibrikun nga komshiu i tij! Ky është ‘ibriku i huazuar', një rast i moskonsistencës elementare logjike të procedimit të arsyetimit që Freudi e shpjegon te Interpretimi i Ëndrrave,Â
Në një të tillë justifikimi krejtësisht jokonsistent u përpëlitën institucionet dhe sidomos qeveria e Kosovës gjatë vizitës së Boris Tadiqit në Kosovë. Në fillim, Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti tha që nuk do t'ia lejonin vizitën presidentit të Serbisë në Kosovë po qe se ky i fundit nuk do të kërkonte leje tek institucionet e vendit dhe nëse nuk do t'i respektonte procedurat ligjore të autoriteteve të Kosovës. Pajaziti la të kuptohet që ministria që ai drejton mund ta lejonte Tadiqin brenda Kosovës vetëm në rast se qeveria e Kosovës do të vendoste kështu. Toni autoritativ me të cilin atë ditë na u drejtua ministri neve, qytetarëve të Kosovës, ta linte përshtypjen e një sigurie të plotë që institucionet e Kosovës ose kishin marrë shenja të mjaftueshme nga Zyra Civile Ndërkombëtare, EULEX-i, UNMIK-u a KFOR-i që nuk do t'ia mundësonin Tadiqit vizitën, ose - çka s'bën vaki! - më në fund kishin vendosur që për herë të pare të vepronin si institucione të pavarura dhe sovrane. As njëra, as tjetra.
Një natë përpara vizitës poshtëruese, krerët institucionalë të Kosovës u thirrën nga kryeministri i vërtetë i Kosovës, Përfaqëqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, i cili ua kumtoi atyre vendimin për lejimin e ardhjes së Tadiqit, si dhe ua shpërndau urdhrat se si duhej të silleshin me këtë rast. Asistenti i Feithit, Hashim Thaçi, u pajtua me vendimin e shefit të tij, kurse Zenun Pajaziti kishte harruar që ishte asistent i asistentit. U vendos që Tadiqin të shkonin ta merrnin me helikopter dhe ta kthenin po në të njëjtën mënyrë.
Të gjendur në këtë situatë të padinjitetshme, ‘të fyer e të poshtëruar' siç ishin, burrave të dheut u mbeti veç një shteg. Meqë nuk u pyetën fare për vizitën e Tadiqit, kurse, në anën tjetër, as që mund ta ndalnin ardhjen e tij (ose, mund ta bënin këtë gjë, po të ishin të pavarur), atëherë ata zgjodhën skenarin e faqes së bardhë. Thanë që vetë institucionet e Kosovës vendosën që presidenti serb të futej në Kosovë. Më parë e zgjodhën versionin e të qenit vendimmarrës sesa të anashkaluar ashtu siç ishin vërtet. Dhe meqë u kurthuruan përbrenda kësaj strukture të caktuar të justifikimit, ata natyrisht që filluan me madhërimin e vizitës së Tadiqit në Kosovë. Deklaruan krejt paturpësisht se kjo ardhje madje qenka historike për Kosovën, meqë presidenti i Serbisë mori leje nga institucionet e vendit.
Kryeministri nuk po mund të bënte asgjë në të tashmen, prandaj u paraqit me ligjërimin e kërcënimit nëpërmjet të ardhmes: nëse Tadiqi bën ndonjë veprim antikushtetues gjatë vizitës së tij, ne do t'ia ndalojmë atij vizitën e radhës. Çdo ndalesë e kryministrit për Tadiqin rregullisht ka qenë e ‘ardhshme'. Qeveria e Kosovës gjithmonë jep premtime për vizitat e ardhshme, sepse nuk vendos fare për secilën të tashme.
Por ashtu siç e prisnin dhe e dinin të gjithë, me të mbërritur në Manastirin e Deçanit, Tadiqi në deklaratën e vet e quajti Kosovën Serbi. Arsyetimi i kryeministrit, pra, ishte shumë shqetësues. Si mund të ketë llogaritur kryeministri në ndërgjegjen e Tadiqit që ai të mos e shkel Kushtetutën e Kosovës, kur dihet mirë që ky është qëndrimi i tij publik politik kudo që ai shkon? Ta presësh prej Tadiqit këtë gjë është sikur të shpresosh për mjaltë prej mizave.Â
Një ditë pasi që Tadiqi erdhi në Kosovë, dha deklarata politike armiqësore kundër Kosovës, dhe iku nga Kosova i shoqëruar dhe i siguruar, Hashim Thaçi doli me prononcimin e tij lidhur me vizitën e Tadiqit dhe agjendën e tij. Kësaj radhe kryeministri as që e zuri në gojë Kushtetutën e vet, të cilën ia shkeli presidenti serb. Tha që vizita e tij ishte ‘interes shtetëror i Kosovës'. Pra na qenka interes i lartë shtetëror i Kosovës që të na vijë Tadiqi për t'iu premtuar serbëve të këtushëm që Kosova qenka Serbi. Ky është projekti i qeverisë simbolike të Kosovës. Kështu ka qenë me këta njerëz që prej Rambujesë: po shkojmë në këtë konferencë, sepse me rëndësi pjesëmarrja e jo përmbajtja.
Kjo është politika e pastër oportuniste e Kosovës, e cila nuk ka plan për interesin e Kosovës, prandaj ndjek përshtatjen absolute ndaj rrethanave dhe situatave të reja që i krijon bashkësia ndërkombëtare apo Serbia. Në pamundësi për t'iu dalë përpara planeve të Serbisë, qeveria fillon e i interpreton këto akte sikur interes i tërthortë i Kosovës.
Në fakt, nuk ka qenë problemi kryesor i vizitës së Tadiqit shkelja e Kushtetutës. Por, gjithsesi, vetë veprimi i Tadiqit e shpjegon kuptimin e Kushtetutës. Kjo Kushtetutë është konceptuar që prej fillimit që të jetë e njëanshme, pra e shkelur. Sepse ajo është urdhër administrativ për zbatimin e Planin e Ahtisaarit që është konceptuar të vlejë vetëm për shqiptarët, e jo edhe për serbët dhe Serbinë të cilëve ua kanë dhënë Planin 6 Pikësh. Kushtetuta e Kosovës do të shkilet sepse nuk mund të mbrohet. Ajo nuk buron nga vullneti i popullit. Njëjtë sikur autonomia e vitit 1974. Kur u suprimua ajo askush nuk e mbrojti sepse prej fillimit nuk ishte mishërim i vullnetit të popullit. Tadiqi nuk do të mund të vijë në Kosovë për ta shpallur Kosovën si pjesë të Serbisë vetëm atëherë kur Kosova të ketë kushtetutë të veten që vjen nga e drejta për vetëvendosje. Vetëm atëherë do të kemi edhe njerëz, edhe vullnet, edhe mekanizma për ta mbrojtur kushtetutën.Â