Vlorë, 28 prill NOA - Në një tubim me të rinjtë dhe qytetarët e Vlorës, kreu i G99, Erion Veliaj deklaroi sot se një ndër vendimet e para që do të marrë qeveria e re që do të dalë pas zgjedhjeve, do të jetë rimbursimi i plotë i kartave të identitetit.
Veliaj premtoi se kjo do të bëhet për të gjithë shqiptarët, qoftë për ata që kanë paguar 1 200 lekë, qoftë për ata që do të aplikojnë me tarifën e re prej 200 lekësh.
"VKM i parë që do të lëshojë qeveria e re pas zgjedhjeve të 28 qershorit do të vendosë që të bëhet rimbusrimi i plotë i të gjithë atyre që deri tani kanë mbajtur barrën e taksës së votës, - tha Veliaj, - sepse kjo është e vetmja mënyrë për të qeneë të ndershëm me të gjithë qytetarët."
Veliaj, në këtë kontekst, u bëri thirrje mijëra qytetarëve vlonjatë të pranishëm në takim që të aplikojnë për karta identiteti në mënyrë që të bëhen pjesë e ndryshimit në 28 qershor.
Gjatë këtij takimi Veliaj u bëri apel të gjithë qytetarëve vlonjatë të bëjnë të mundur që të rinjtë e vlefshëm të Shqipërisë të bëhen histori suksesi duke i ftuar ata të votojnë dhe t'i besojnë përgjegjësinë e ndryshimit, këtyre të rinjve dhe të rejave.
Erion Veliaj gjithashtu në këtë tubim prezantoi kandidatin e G99 për qarkun e Vlorës, Genci Kojdhelin.
e.l/NOA