Tiranë, 28 prill NOA - Prokuroria e Tiranës, bëri të ditur sot se ka përfunduar hetimet për Kujtim Bakallin, i akuzuar për veprën penale të vrasjes.
Sipas hetimeve të kryera, i pandehuri akuzohet se për motive pronësie ka vrarë në Sauk banorin vendas, Xhevdet Qefalia.
Nga hetimi doli se vrasja erdhi për shkak të një konflikti për parcelën e tokës, që e kishte fituar me vendim gjykate, por që Komuna e Farkës ia kishte dhënë dikujt tjetër.
Ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri, ka ndodhur në mes të dhjetorit të vitit të kaluar, pas një konflikti 10-vjeçar për këtë parcelë toke, mes dy familjeve, e cila po rrethohej nga viktima.
Në debat e sipër me qëllim për të ndaluar vrullin e punimeve, Kujtim Bakalli iu është drejtuar njerëzve që punonin të mos kryenin asnjë veprim më tej.
Pala tjetër ka reaguar, ndërkohë që Kujtim Bakalli ka qëlluar një herë me çifte në ajër.
Pasi kjo nuk ka dhënë efekt, ai ka qëlluar në drejtim të njerëzve, ndërsa saçmat e armës kanë goditur Xhevdet Qefalian.
Ky i fundit ka mbetur i plagosur, është përpjekur të largohet, por ka mundur të ecë vetëm 15 metra, e më pas është shembur në tokë. I pandehuri akuzohet nga prokuroria për veprën penale të "vrasjes me dashje".
e.l/NOA