English

Bashkia e Tiranës nis punimet për Bllokun e banimit nr. 51, në veri të qytetit

Tiranë, 29 prill NOA - Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për rehabilitimin e infrastrukturës në Bllokun e banimit nr. 51, i cili ndodhet në pjesën veriore të qytetit të Tiranës dhe kufizohet nga rrugët "Jordan Misja"-Unaza-"Don Bosko", në Njësinë Bashkiake nr. 9.

Kryebashkiaku Edi Rama, gjatë inspektimit të ecurisë së punimeve për rehabilitimin e këtij blloku u shpreh: "Përpara pak minutash, një qytetare që takova më shprehu kënaqësinë për çeljen e gjithë këtyre pemëve në qytet dhe më tha: - "Tirana duket ndryshe".

Më tej Rama tha se "Tirana do të duket edhe më ndryshe pas 28 qershorit, sepse e vërteta është se e gjithë kjo punë kolosale zhvillohet nën një trysni të jashtëzakonshme dhe në një vështirësi të patregueshme, për shkak të një qeverie injorante e cila nuk do, nuk di, dhe nuk mund të bëjë më shumë, për të bërë atë detyrë të domosdoshme që ky kryeqytet të funksionojë ashtu siç duhet dhe që qeveria vendore e këtij kryeqyteti, të ketë të gjithë hapësirën e domosdoshme që i jep jo vetëm kushtetuta, por në radhë të parë vullneti i popullit të kryeqytetit".

Kurse premtoi: "Unë i siguroj të gjithë se ky transformim i madh i Tiranës, është vërtet një pjesë e atij transformimi kolosal që do të shihet në vitet në vijim pas 28 qershorit".Â

Janë 250 milionë lekë nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe rehabilitimin e plotë e cilësor të këtij blloku, me sipërfaqe rreth 36 ha. Në projekt po trajtohen gjithashtu edhe rrugët ekzistuese sekondare.

Në projektin e rehabilitimit të bllokut është parashikuar ndërhyrja në rrjetin e ujësjellësit e sistemin e kanalizimeve si dhe konceptimi i ndriçimit rrugor brenda bllokut, me shtylla metalike të cilat do të vendosen në të dy krahët e rrugëve.

Projekti parashikon që gjerësia e rrugëve të jetë 3.5 deri në 11.5 metra, me trotuarë nga të dy anët,  të shtruar me pllaka betoni, me gjerësi nga 1 metër deri në 5 metra.Â

Duke marrë parasysh nevojën në rritje për krijimin e shesheve të parkimit, qoftë për banorët e zonës, por edhe për qytetarë të ndryshëm të cilët gjatë ditës kryejnë aktivitete biznesi në këtë zonë, janë projektuar sheshe të parkimit publik.Â

Si një komponent me rëndësi në rehabilitimin e blokut 51, krahas rikonstruksionit të plotë të infrastrukturës rrugore, është parashikuar edhe krijimi i hapësirave të gjelbra. Projekti trajton gjelbërimin e sipërfaqeve përpara pallateve, duke i kthyer në lulishte e sheshe pushimi si dhe gjelbërimin e rrugëve me pemë dekorative. Afati i punimeve është 7 muaj dhe punimet pritet të përfundojnë brenda afatit.

e.l/NOA

KOMENTE