Tiranë, 29 prill NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zbardhi sot në mbrëmje disa aspekte që programi i ri qeverisës, parashikon në lidhje me integrimin e gruas shqiptare në jetën publike e në vendimmarrje.Â
Kryetari Rama fillimisht ka përshëndetur pjesëmarrëset nga Tirana por edhe zonjat e ardhura nga jashtë për prezencën e tyre në këtë takim ku është prezantuar kapitulli i Programit që është hartuar për vendosjen e barazisë gjinore në vend.
Edi Rama u shpreh, gjatë një takimi masiv me gra dhe vajza të kryeqytetit se do të ishte e paplotë i gjithë ky proces nëse socialistët do të krijonin kushtet vetëm të një barazie në Parlament, e nuk do ta shoqëronin këtë hap me hapa të tjerë që ndikojnë direkt në jetën e çdo gruaje shqiptare, e si rrjedhojë ne jetën shoqërore të Shqipërisë.
"Vendosja e grave në kushte të barabarta me burrat, për t'u dhënë mundësi që të marrin pjesë në jetën politike, është vetëm njëri nga aspektet", - tha Rama, - "ndaj ne nuk duhet të pranojmë që ky është i vetmi aspekt.
"Se, edhe sikur të shkojmë në një barazi të plotë të pjesëmarrjes së grave në Parlament do të ishte e pamjaftueshme nese nuk do shtrihej kjo gjë në të gjitha nivelet e pushtetit në Shqipëri. Nuk do ishte e mjaftueshme, në rast se nuk do hiqeshin pengesat diskriminuese që hasin vajzat e gratë kur duan të japin kontribut në administratën shtetërore të këtij vendi, apo në rast se nuk krijohen kushte të reja për gratë dhe vajzat me talent sipërmarrës".
Për këtë arsye PS ka qenë e fokusuar që në planin qeverisës të flitet për politika që krijojnë jo vetëm mundësinë për të ushtruar të drejtën e përfaqësimit, por edhe të krijojë perspektivë për lirinë ekonomike të grave.
Në këtë takim merrte pjesë koordinatorja kombëtare e Gruas Socialiste të Shqipërisë Ermira Danaj, ndërkohë që ishin prezente dhe Znj. Marlene Haas, Sekretare e Përgjithshme e Internacionales së Gruas Socialiste nga Partia Laburiste Hollandeze; Mirjana Feric-Vac, zv.Presidente e Internacionales së Gruas Socialiste dhe kryetare e Forumit të Gruas të Partisë Social Demokrate Kroate; Katrin Berhman, anëtare e Kryesisë së organizatës së grave në Partinë Social Demokrate Gjermane; Znj. Naile Elezi, kryetare e Forumit të Gruas të BDI në Maqedoni; Znj. Fllanza Hoxha, Nënkryetare e Partisë Social Demokrate të Kosovës, etj.
e.l/NOA