Varshavë, 29 Prill NOA - Kryeministri Sali Berisha ndodhet sot në Varshavë, Poloni për të marrë pjesë në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partive Popullore, i cili do të zhvillojë punimet në Varshavë sot dhe nesër.
Në këtë Kongres të Partive Popullore Kryeministri Berisha shoqërohet edhe nga Kryetarja e Parlamentit shqiptar dhe Nënkryetarja e Parisë Demokratike, Jozefina Topalli dhe deputeti Tritan Shehu.
Në punimet e këtij Kongresi të Jashtëzakonshëm do të diskutohet gjerësisht mbi përmbajtjen e Manifestit mbi zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian dhe hapjen e fushatës zgjedhore.
Më shumë se 2700 pjesëmarrës ndodhen tashmë në Varshavë, ku mes tyre Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso dhe Presidenti i Parlamentit Europian, Hans-Gert Pottering.
Në këtë Kongers marrin pjesë liderë të Shteteve dhe Qeverive si Donald Tusk, Francois Fillon, Angela Merkel, Kostas Karamanlis, Jan-Peter Balkenende, Jean-Claude Juncker, Silvio Berlusconi, Ivo Sanader, Nikola Gruevski, Mikheil Saakashvili, Janez Jansa, Mariano Rajoy.
Ky Kongres do të udhëhiqet nga Presidenti i PPE, Wilfried Martens dhe do të jetë një eveniment i rëndësishëm politik për të hapur fushatën zgjedhore dhe për të shpjeguar në elementë Manifestin në përbërje të të cilit do të jenë propozime dhe ide të ndryshme në ndihmë të zgjidhjes së shumë problemeve të qytetarëve, veçanërisht në lidhje me krizën botërore ekonomike.
Në këtë Kongres Berisha është i ftuar të mbajë një fjalim mbi hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të shfrytëzuar potencialet e mëdha të vendit në fushë e energjisë dhe për perspektivën e investimeve dhe shfrytëzimit të burimeve energjetike.
Gjithashtu Kryeministri shqiptar, është i ftuar të përshëndesë pjesëmarrësit gjatë seancës plenare të PPE.
e.l/NOA