Tiranë 29 prill NOA - Ministria e Punëve të Jashtme dënoi sot veprimet e dhunshme të ditëve të fundit të një grupi të vogël ekstremistësh serbë në lagjen "Kroi i Vitakut", në Mitrovicë, që kërkojnë ndërprerjen e punimeve për rindërtimin e shtëpive të qytetarëve shqiptarë të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1999.
"Ministria e Punëve të Jashtme bashkohet me apelin drejtuar qytetarëve të Mitrovicës për të ruajtur qetësinë dhe për të shmangur çdo provokim, duke qenë të sigurt se Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i janë të vendosur, të përkushtuar dhe të gatshëm të përgjigjën ndaj kujtdo që kërcënon sigurinë, stabilitetin dhe rendin publik në Kosovë" thuhej në deklaratën për shtyp lëshuar sot nga Ministria e Jashtme.
Më tej në komunikatë thuhej - "Ministria e Punëve të Jashtme është e bindur se e drejta e qytetarëve shqiptarë, ashtu si edhe e gjithë qytetarëve të tjerë, për kthim në shtëpitë dhe pronat e tyre, si një e drejtë elementare njerëzore dhe plotësisht legjitime nuk do të mbetet peng i kalkulimeve politike".
Ministria e Punëve të Jashtme rikonfirmon mbështetjen maksimale ndaj institucioneve qendrore dhe vendore të Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it në përpjekjet e tyre të vendosura për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.
 k.k/NOA