Tiranë, 29 prill NOA - Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, reagoi sot sërish duke marrë shkas nga "pasaktësitë, keqinformimin dhe interpretimet në ndonjë organ të shtypit ditëve të fundit, mbi përcaktimin e kufirit detar me Republikën e Greqisë".
"Informojnë opinionin publik se "Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare", është bërë duke u bazuar tërësisht në metodat bashkëkohore të përcaktimit të kufirit detar, si dhe mbi parimet që respektojnë legjislacionin shqiptar në fuqi dhe plotësisht në konformitet me Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit", - thuhet në deklaratë.Â
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë i konsiderojnë "trillimet dhe trajtimin abuziv të çështjeve të tilla të rëndësishme si një dëshmi të papërgjegjshmërisë dhe keqdashje të qëllimshme në dëm të opinionit publik, duke sqaruar se metodat e matjes janë metoda jo të përdorura vetëm në këtë rast të veçantë, por të përdorura në të gjitha rastet kur shtetet përcaktojnë kufijtë detarë ndërmjet tyre".
Nga ana tjetër, dy dikasteret shprehen se baza juridike për përcaktimin e kufijve detarë dhe shelfit kontinental gjendet në Konventën për të Drejtën e Detit, (e njohur ndryshe si Konventa e Montego Bay sipas emrit të vendit ku u përfundua në vitin 1982), e cila ka hyrë në fuqi me 16 nëntor 1994.
"Greqia është palë nga 21 korriku 1995 ndërsa Shqipëria që nga data 23 qershor 2003 . Duke qenë të dy vendet palë në këtë traktat ndërkombëtar, janë të detyruara sipas nenit 83 të Konventës, "të përcaktojnë me marrëveshje mbi bazat e ligjit ndërkombëtare kufirin e shelfit kontinental", - vijon sqarimi i MM dhe MPJ.
Sipas tyre, parimi i përdorur për përcaktimin e vijës kufitare është ai i baraslargësisë, d.m.th përcaktimi i një vije ndarëse me largësi të njëjtë nga të gjitha pikat e vijës bazë të shteteve bregdetare.
"Për caktimin e kufirit detar janë respektuar neni 5, 7, 10 dhe 15 i konventës për të drejtën e detit. Siç është theksuar shprehimisht në tekstin e marrëveshjes, 150 koordinatat e përcaktuara, të cilat, të bashkuara në një vijë të pandërprerë, caktojnë kufirin detar mes dy vendeve, janë absolutisht të baraslarguara nga pikat më të dala të kufirit tokësor të secilit vend", - vijon reagimi.
Kurse theksohet se "çdo pretendim për ndryshim kufijsh është i pavërtetë dhe një trillim i pastër. Shqipëria nuk ka dhënë dhe as ka marrë asnjë milimetër katror të hapësirës së saj territoriale si rezultat i kësaj marrëveshje".
Ndërsa shton se distancat dhe koordinatat e publikuara nga një e përditshme janë të pasakta dhe dezinformuese.
Në përfundim, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë deklarojnë se kanë qenë dhe mbeten gjithmonë të gatshme të ofrojnë transparencën e nevojshme duke shtuar se "abuzime të tilla nuk i shërbejnë as informimit të drejtë të publikut shqiptar dhe as interesave të shoqërisë dhe të vendit".
e.l/NOA