Uashington, 29 prill, NOA - Presidenti Barak Obama shënon sot 100 ditëshin e tij të parë në krye të presidencës amerikane, afat i cili në Shtetet e Bashkuara të Amerikës merr një kuptim të veçantë, pasi cilësohet si më i vështiri për një kryetar shteti.
Presidentët në përgjithësi përballen me pengesa të politikës së brendshme dhe të jashtme në 100 ditët e para, prandaj ky afat cilësohet si pengesa e madhe e punës së një lideri shteti.
Eshtë fakt se presidenti Barak Obama u përball me një situatë shumë të vështirë ekonomike në 100 ditët e para të tij në detyrë, prandaj shumica e cilësojnë si të suksesshme këtë periudhë të drejtuar prej tij, pasi e dinin shumë mirë çfarë gjeti Obama kur mori postin.
Megjithëse ai ka edhe kundërshtarë, të cilët e akuzojnë presidentin se do që të ndjekë një program ekonomik dhe social të së majtës së skajshme dhe paralajmërojnë se planet e shpenzimit të qeverisë së tij do ta rrisin jashtëzakoniosht borxhin kombëtar.
Të mos harrojmë se një nga arsyet kryesore që Barak Obama u zgjodh President në nëntor, ishte se votuesit donin një ndryshim pas tetë vjetësh të administratës së Presidentit Bush. Por sa është realizuar ky ndryshim në 100 ditët e para në detyrë?
Mund të thuhet se disa nga ndryshimet e 100 ditëve të para kanë qenë rrënjësore, siç ishte plani masiv i stimujve financiarë, i cili ka si objektiv t'i japë zgjidhje rimëkëmbjes ekonomike të vendit.
Ndërkaq, kujtojmë edhe vendimin e Obamës për mbylljen e qendrës së ndalimit në Guantamo të Kubës, si edhe atë për caktimin e një afati për tërheqjen e trupave në gusht të vitit 2010 nga Iraku.
Ekspertët vlerësojnë se në përgjithësi niveli i mbështetjes për Presidentin Obama ka mbetur i lartë dhe kjo ia shton atij ndikimin e tij politikisht përballë Kongresit dhe kritikëve të tij.
n.e/NOA