English

Oketa, kompanisë së Asgjësimit të Eksplozivëve: Kujdes jetën e banorëve

Tiranë, 29 prill NOA - Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, i shoqëruar edhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Brigade Maksim Malaj zhvilloi sot një takim me efektivin e Kompanisë së Asgjesimit të Municioneve dhe Eksplozivave (AEM).

Oketa, në bashkëbisedim me ushtarakët e këtij n/reparti u njoh nga afër me ecurinë e stërvitjes, trajnimit dhe angazhimit të tyre për asgjësimin e municioneve të tepërta në vend.

Ai falenderoi efektivin e kompanisë për punën e bërë në procesin e vështirë të pastrimit të rajoneve të infektuara nga municione të mbetura, si dhe për aftësitë e larta profesionale të treguara në këtë proces, gjë kjo që është vlerësuar edhe nga ekspertët e vendeve aleate e partnere.

Më tej z. Oketa foli për rëndësinë e madhe që ka puna dhe veprimtaria e Kompanisë AEM, pasi gjatë asgjësimit në poligonet e miratuara që tashmë ka filluar, ky proces lidhet edhe me komunitetin.

Ai theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit me pushtetin vendor të rajonit ku ky personel do të punojë, sepse çështja e municioneve të tepërta është një çështje mbarëkombëtare, prandaj dhe kërkohet një bashkëpunim i gjithanshëm.

Me këtë rast Ministri Oketa ka falënderuar të gjithë vendet aleate, sidomos SHBA, të cilët na kanë mbështetur fuqishëm për realizimin e kësaj detyre të rëndësishme. "Edhe njëherë kërkoj kujdes maksimal, por edhe një përgjegjësi maksimale nga të gjithë ju dhe sidomos nga drejtuesit tuaj. Të zbatoni me disiplinë të fortë dhe kompetencë të lartë të gjitha kërkesat e rregulloreve dhe rregullat e sigurimit teknik që janë për këtë qëllim", -u shpreh Oketa.

"Pjesëmarrja juaj deri tani me tre kontigjente në operacionin ALTHEA në Bosnje-Hercegovinë është një tjetër tregues i rëndësishëm për kompaninë tuaj-tha në përfundim të fjalës së tij Ministri i Mbrojtjes.

Vitin e shkuar ushtarakët shqiptarë bënë të mundur largimin e 59 kontenierëve me municione nga Baza e Shkozetit, vijimin e pastrimit të zonës së Gërdecit, asgjësimin e predhave të paplasura që u nxorën nga e zona bregdetare e Ujit të Ftohtë në Vlorë etj.

Kohët e fundit rreth 50 ushtarakë shqiptarë të këtij n/reparti u janë nënshtruar kurseve të ndryshme të trajnimit për specializimin e mëtejshëm të tyre në asgjësimin dhe shkatërrimin e municioneve të tepërta në Shqipëri. Tashmë kjo kompani është kompletuar me personel në masën 100 për qind.

e.l/NOA

KOMENTE