English

Poli i Lirisë, shoqata "Pronësi me Drejtësi" dhe LZHK nënshkruajnë koalicionin parazgjedhor

Tiranë, 29 prill, NOA - Koalicioni politik "Poli i Lirisë" ka nënshkruar sot përmes një ceremonie të veçantë marrëveshjen për të qenë pjesë e këtij koalicioni parazgjedhor në kuadrin e procesit elektoral të 28 qershorit.

Në emër të këtij koalicioni, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, tha se ish-pronarët janë të mirëpritur në Polin e Lirisë, si një kategori e shpërfillur nga qeverisja e djathtë.

"Partitë politike nuk i mbajtën premtimet lidhur me pronat dhe çështja e tyre asnjëherë nuk u arrit të zgjidhej ashtu siç u premtua", u shpreh Shehi.

Ndërsa, kryetari i shoqatës së të Shpronësuarve, Rrapo Danushi është shprehur se ish-pronarët e kanë marrë këtë vendim politik, pasi ndihen të tradhtuar nga interesat politike të partive të tjera të djathta, të cilat asnjëherë nuk e kanë marrë seriozisht në konsideratë çështjen e pronësisë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i kësaj shoqate, Agim Toro, u shpreh se shoqata "Pronësi me Drejtësi" nuk shndërrohet në parti politike, por bëhet pjesë e koalicionit zgjedhor "Poli i Lirisë", duke vendosur të bashkojë votat me të në kuadrin e një zgjidhje të çështjes së pronës.

Por në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje ka folur edhe kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, si pjesë e koalicionit politik "Poli i Lirisë", për të cilin është shprehur se ai jep garanci për qeverisjen e nesërme.

Ai e ka vlerësuar si të mirëpritur praninë e Shoqatës së të Shpronësuarve në këtë koalicion, duke deklaruar se është hera e parë që merren seriozisht në konsideratë ish-pronarët dhe kërkesat e tyre.

"Krijohet një e djathtë e re, me një program i cili po hartohet nga specialistët e të gjitha fushave. Ai nuk do të ketë asnjë faqe demagogji në faqen e tij, siç ka bërë Partia Socialiste, apo Partia Demokratike, e cila nuk ka fare program", tha ndër të tjera Nard Ndoka.

n.e/NOA

KOMENTE