English

Veliaj: Berisha-Karamanlis, asgjë për emigrantët, çamët dhe vizat

Gjirokastër, 29 prill NOA - Erion Veliaj e ka hapur takimin e G99 me qytetarët e Gjirokastrës, duke shpërndarë qirinj për pjesëmarrësit pasi është e disata herë që takime të tilla në rrethe përpiqen të sabotohen nëpërmjet ndërprerjes së energjisë në sallat e caktuara.

Duke folur për pjesëmarrësit, Veliaj ka kritikuar ashpër qëndrimin e qeverisë shqiptare dhe sidomos të kryeministri Berisha në lidhje me takimin dhe vizitën që kryeministri grek Karamanlis zhvilloi në Tiranë.

Sipas Veliaj ky takim i cili mund të kishte qenë një mundësi e mirë për të diskutuar shumë prej problemeve dhe çështjeve që i përkasin të dyja palëve, kaloi në një heshtje inferiore nga pala shqiptare ndaj asaj greke.

Në takimin Berisha-Karamanlis nuk u përmendën çështje që sipas Veliaj janë thelbësore për interesat e të gjithë shqiptarëve, si vota e emigrantëve, lehtësitë për studentët shqiptarë, liberalizimi i vizave dhe çështja çame.

"Dje pamë që kemi një qeveri e cila nuk punon për interesat e shqiptarëve. Kryeministri grek erdhi në Shqipëri dhe firmosi disa marrëveshje. Unë kam një pyetje: A pati ndonjë marrëveshje për të mundësuar votën e emigrantëve për të cilën ne të G99 kemi punuar kaq shumë? A pati ndonjë marrëveshje për vizat, për radhët në kufi?, - shtroi pyetjen Veliaj.

Ai shtoi se "jam shumë dakord që është e rëndësishme të punojmë për të respektuar minoritetet në Shqipëri si dhe për të forcuar fqinjësinë e mirë por kjo duhet të jetë reciproke".

Kurse vijoi: "Kryeministri shqiptar gjatë takimit me atë grek Karamanlis nuk foli për asnjë çështje shqiptare, as për çamët, as për studentët, as për emigrantët. Ky nuk është kryeministri im dhe as i juaji. Ne kemi nevojë për një qeveri e cila nuk hesht por mbron interesat e qytetarëve të saj brenda dhe jashtë kufijve", -tha Veliaj.

v.d/NOA

KOMENTE