English

Alarmi, 5 raste të dyshuara të "gripit të derrave" në Shqipëri

Tiranë, 30 prill NOA - Pesë raste të dyshuara të "gripit të derrave" tronditin Shqipërinë. Lajmi konfirmohet nga Silva Bino, drejtore e Institutit të Shëndetit Publik.

Duke folur sot për mediat mbi argumentin e ditës që po alarmon mbarë botën, zonja Bino pohoi se janë duke verifikuar rastet.

"Ne kemi konstatuar pesë persona, shtetas shqiptarë të cilët dyshojmë se janë të prekur nga virusi H1N1, ose gripi i derrave", - ka deklaruar zonja Bino.

Ajo shtoi se :gjithsesi na duhet të presim analizat të cilat do të kryhen jashtë Shqipërisë", duke siguruar se ato janë dërguar në Rumani.

Zonja Bino tha se vetëm pasi të mbërrijnë rezultatet e analizave nga jashtë, do të konfirmohet nëse këto pesë raste janë të prekur nga virusi i frikshëm ose jo.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë lajmëroi sot se në dispozicion për emergjenca të gripit të derrave, është vënë një fond emergjence, prej 10 milionë lekësh (të reja), për përballimin e situatës në rast nevoje.

"Sigurisht ky fond do të rritet në varësi të ecurisë epidemiologjike", - deklaroi Ministria e Shëndetësisë.

Ajo pohoi edhe se nxori urdhrin për shërbimin 24 orësh të shërbimit sanitar në të tëra pikat e kufirit.

"MSH, nxori sot udhëzimin për spitalet rajonale, mbi masat që duhet të ndërmarrin për një situatë hipotetike të dhënë", tha për agjencinë e lajmeve NOA drejtoria për shtyp e dikasterit.

Ministria e Shëndetësisë, në këtë pikë theksoi se momentalisht, "nuk ka asnjë arsye që të ndryshojmë sjelljen tonë të përditshme".

Kurse paralajmëroi se "në çdo rast, për informacion jeni të lutur të kontaktoni mjekun e familjes apo strukturat më të afërta të shëndetit publik".

Sakaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi sot (e Enjte), fazën 5 të nivelit të vlerësimit të pandemisë, e cila karakterizohet nga përhapja e virusit nga njeriu te njeriu në të paktën në dy vende në një rajon të OBSH.

Ndërsa shumica e vendeve nuk do të preken në këtë stad, deklarimi i fazës 5 është sinjali se pandemia është shumë pranë dhe koha për të përfunduar organizimin, komunikimin dhe zbatimin e masave të planifikuar të zbutjes është e shkurtër.

Drejtoresha e Përgjithshme e OBSH-së, Margaret Chan, konfirmoi lajmin: "Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur nivelin e alarmit në shkallën e parafundit për shkak të epidemisë së gripit të derrave".

Ajo sqaroi se Shkalla e Pestë e alarmit nënkupton se në të paktën dy shtete në një rajon është regjistruar bartja e këtij virusi nga njeriu në njeri. Zonja Chan paralajmëroi se "i tërë njerëzimi mund të jetë i kërcënuar nga kjo epidemi. Ajo u ka rekomanduar qeverive në mbarë botën që t'i aktivizojnë planet e tyre dhe të jenë në gjendje gatishmërie".

e.l/NOA

KOMENTE