Tiranë, 30 Prill NOA - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi fazën 5 të nivelit të vlerësimit të pandemisë, e cila karakterizohet nga përhapja e virusit nga njeriu te njeriu në të paktën në dy vende në një rajon të OBSH.
Ndërsa shumica e vendeve nuk do të preken në këtë stad, deklarimi i fazës 5 është sinjali se pandemia është shumë pranë dhe koha për të përfunduar organizimin, komunikimin dhe zbatimin e masave të planifikuar të zbutjes është e shkurtër, ka konfirmuar sot, Ministria e Shëndetësisë.
Dikasteri vë në dispozicion një fond emergjence, prej 10 milionë lekësh (të reja), për përballimin e situatës në rast nevoje.
"Sigurisht ky fond do të rritet në varësi të ecurisë epidemiologjike", - deklaroi Ministria e Shëndetësisë.
Ajo pohoi edhe se nxori urdhrin për shërbimin 24 orësh të shërbimit sanitar në të tëra pikat e kufirit.
"MSH, nxori sot udhëzimin për spitalet rajonale, mbi masat që duhet të ndërmarrin për një situatë hipotetike të dhënë", tha për agjencinë e lajmeve NOA drejtoria për shtyp e dikasterit.
Ministria e Shëndetësisë, në këtë pikë theksoi se momentalisht, "nuk ka asnjë arsye që të ndryshojmë sjelljen tonë të përditshme".
Kurse paralajmëroi se "në çdo rast, për informacion jeni të lutur të kontaktoni mjekun e familjes apo strukturat më të afërta të shëndetit publik".
e.l/NOA