Tiranë, 30 prill NOA Update - Ministri i Brendshëm Bujar Nishani nënshkroi me Ambasadorin e SHBA në Tiranë Z. John L. Withers II, marrëveshjen e dhurimit nga qeveria amerikane nëpërmjet programit ICITAP për Policinë e Shtetit, të disa sistemeve hardware dhe software në funksion të sistemit TIMS dhe programit MEMEX.
Nishani e cilësoi këtë dhuratë një ndihmë të çmuar për realizimin e funksioneve dhe detyrave të përditshme të Policisë së Shtetit.
Ai tha se në sajë të kësaj asistence dhe funksionimit në themel të sistemit TIMS realizohen një sërë shërbimesh të informatizuara; si sistemi i kërkimit, sistemi i arkivës kriminale, sistemi i informacionit të kontrollit kufitar , raportimi i ngjarjeve, apo dhe ai i programit MEMEX, përmes të cilit administrohen të dhënat kriminale në funksion të analizave të veprimtarive kriminale,-u shpreh Ministri Nishani.
Ministri i Brendshëm shtoi se pa këtë përparim të teknologjisë, lufta kundër krimit të organizuar, kontrolli dhe menaxhimi i integruar i kufijve si prioritete të angazhimit të qeverisë shqiptare, nuk do të kishin mundur të arrinin në standardet që kemi sot.
Nishani konfirmoi në emër të Ministrisë së Brendshme se ndihma e dhënë deri më tani policisë shqiptare nga ana e qeverisë së SHBA dhe popullit amerikan, ka qenë një ndihmë tërësisht efiçente, që i ka shërbyer maksimalisht konsolidimit të institucioneve të shtetit shqiptar, i ka shërbyer rritjes së sigurisë dhe shërbimit të qytetarëve shqiptarë, por edhe sigurisë së tërë rajonit tonë.
Kurse Ambasadori i SHBA Z. John L. Withers II vlerësoi në fjalën e tij se sistemi TIMS ka avancuar në mënyrë të jashtëzakonshme duke nënvizuar se tashmë jemi në fazën kur ky sistem pritet të përfundojë shtrirjen e tij në të gjithë Shqipërinë.
Ambasadori Withers u shpreh se me këtë donacion me vlerë mbi një milion dollarë, donacionet e përgjithshme deri më tani kapin vlerën e 14 milion dollarëve, si dhe e cilësoi donacionin e sotëm një gur të rëndësishëm kilometrik në rrugën e kalimit të sistemit TIMS në duart e Policisë së Shtetit.
Në ceremoninë e organizuar ishin të pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Z. Ahmet Prençi, Drejtori i Programit ICITAP Z. Darrel Hart, si dhe funksionarë të lartë të Policisë së Shtetit dhe këshilltarë të programit ICITAP.
e.l/NOA