English

Aplikimi, Barroso: Do të punojmë që Shqipëria ta fitojë sa më shpejt statusin e kandidatit të BE-së

Bruksel, 30 prill, NOA - Komisioni Evropian do të punojë ngushtë me qeverinë shqiptare në mënyë që Shqipëria ta përfitojë sa më shpejt statusin e kandidatit si anëtare me të drejta të plota për në Bashkimin Evropian.

Një fakt të tillë e ka theksuar sot vetë presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, gjatë një mëngjesi pune të titulluar "Të jetosh Evropën", në të cilin ishte i pranishëm edhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha.

Në panelin e drejtuar nga Barroso, u fol me nota vlerësuese për ecurinë e reformave në Shqipëri, duke treguar optimizëm për hapat e mëtejshme të tyre, duke shpresuar kështu në një përshpejtim të procesit të anëtarësimit të vendit tonë drejt strukturave evropiane.

Ndërkaq, bëhet e ditur për agjencinë e Lajmeve NOA se në këtë panel ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i Suedisë, vendi që do të pasojë presidencën çeke në kryesimin e Bashkimit Evropian, i cili u shpreh i gatshëm për ta ndihmuar Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit.

"Ne do ta shqyrtojmë shpejt kërkesën e Shqipërisë për vend kandidat në BE dhe mbështesim plotësisht perspektivën evropiane të këtij vendi", mësohet të jetë shprehur ai në panelin "Të jetosh Evropën", edhe në prani të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha.

Në këtë mënyrë, ai ka lënë të kuptohet se edhe pas presidencës çeke, e cila duhet thënë se ka kontribuar pozitivisht ndaj Shqipërisë gjatë drejtimit të BE-së prej saj, vendi ynë do të vijojë ta ketë të garantuar mbështetjen edhe prej presidencës së re suedeze, për një anëtarësim sa më të shpejtë të saj në strukturat evropiane.

n.e/NOA

KOMENTE