Shkup, 30 prill, NOA - Të akuzuarit kanë mohuar, në gjyq kategorikisht se kanë planifikuar sulm terrorist në "Fort Diks". Po ashtu edhe babai i tyre Ferik Duka këmbëngul se fëmijët e tij janë të pafajshëm. "Nëse fëmijët e mi do të ishin fajtorë, atëherë ata nuk do të ishin më fëmijët e mi. Por ata janë të pafajshëm", - deklaroi Ferik Duka, babai i dibranëve të dënuar për terrorizëm nga gjykata e Nju Xhersit.
Gjykata vendosi burgim të përjetshëm për Dritan Duka (28), Shain Duka (26) dhe Elvir Duka (23), tre vëllezërit emigrantë me origjinë nga fshati Spas i Dibrës së Maqedonisë që jë kohë të gjatë po jetonin dhe punonin në SHBA.
Përveç tyre, janë edhe dy të akuzuarit e tjerë shtetasi turk Serdar Tartar (23) dhe Mohamad Ibrahim Shneuer (22) nga Jordania, të cilët po ashtu u dënuan me burg të përjetshëm. Ata u akuzuan për sulm të organizuar dhe komplot ndaj një baze ushtarake amerikane, Fort Dix, e cila merret me përgatitjen e rekrutëve. Avokati i kësaj çështjeje e hodhi përsëri poshtë akuzën, duke thënë se klientët e tij nuk kanë pasur në asnjë mënyrë si "qëllim ndonjë komplot kundër bazës ushtarake në Fort Dix. Emigrantët u arrestuan në vitin 2007 pas një survejimi të FBI dhe CIA. Gjatë procesit gjyqësor që ka zgjatur tetë javë, prokurorët kanë përcaktuar se bëhet fjalë për radikalë islamik dhe se ata kishin planifikuar sulm të organizuar për të vrarë ushtarë amerikanë në bazën amerikane ushtarake Fort Dix që gjendet rreth 50 kilometra në largësi të Nju Xhersit. Familjarët menjëherë pas shpalljes së vendimit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre duke shtuar se nuk bëhet fjalë për përfshirjen e djemve të tyre në një sulm të tillë. Dritan Duka dëshmoi gjithashtu gjatë gjykimit dje se ai ishte krejtësisht i pafajshëm" dhe se sipas tij gjykata ka përdorur gënjeshtrat dhe fantazitë e shpifura ndaj tij dhe vëllezërve të tij nga informatorët. Avokatët mbrojtës thanë se kanë argumentuar se tre vëllezërit Duka kurrë nuk ka pasur në mendje ndonjë komplot dhe çdo propozim ka qenë një "mendim" i avancuar duke u paguar informatorëve shuma të mëdha financiare për përfitime personale.
NOA-INA