English

Faqet e para të gazetave në Evropë dhe SHBA, si dhe analizë e titujve kryesorë 30 Prill 2009

Tiranë, 30 prill NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave kryesore në Evropë dhe SHBA, për ditën e Enjte, 30 Prill 2009. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip dhe anglisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit.

Për t'u abonuar në këtë shërbim dhe për t'u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e e-mail:Â info@noa.al

Në shtypin e sotëm të Londrës,

shqetësimi për përhapjen globale të gripit të derrave zë vend në faqet e para të të gjitha të përditshmeve të mëdha britanike.

Gazeta The Independent hapet me foton e nje nxënëseje britanike 12 vjeçare që i ka shfaqur simptomat e sëmundjes pas kthimit të saj nga Meksika, ndërsa numri i personave të prekur nga virusi në Britani ka shkuar në pesë. The Independent shkruan për vendimin e qeverisë për forcimin e masave kundër përhapjes së sëmundjes, nëpërmjet shtimit të rezervave të ilaçit anti-viral deri në 50 milionë doza, gjë që do të mundësonte mbrojtjen e 3/4-ve të popullsisë britanike. Sot pritet të shpallet një fushatë ndërgjegjësimi ndaj rrezikut të sëmundjes së gripit të derrave dhe rëndësisë së ruajtjes së higjienës si masë për reduktimin e rrezikut.

Gazeta The Times i referohet paralajmërimit të bërë nga Drejtorja e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Chan, se epidemia e gripit të derrave është e menjëhershme. Sipas gazetës, pas përhapjes së virusit në të paktën nëntë vende, përfshirë edhe Europën, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka ngritur nivelin e gatishmërisë në fazën pesë nga gjashtë që është më e larta. "Faza Gjashtë" e gatishmërisë shpallet kur epidemia arrin nivel global. Gazeta The Times u ofron lexuesve këshilla praktike për mbrojtjen nga virusi, si dhe shkruan për përpjekjet që po bëhen për përgatitjen e një vaksine të posaçme dhe efikasitetin e vaksinave ekzistuese në parandalimin e epidemisë dhe luftimin e sëmundjes.

The Guardian i ka kushtuar disa faqe masave që po merren në botë e veçmas në Britani për izolimin e virusit të gripit të derrave. Nën titullin "Urdhër Urgjent", gazeta njofton se Mbretëria e Bashkuar ka blerë 60 milion maska mbrojtëse, në kohën që shtohen rastet e personave të prekur nga virusi. Në një artikull të posaçëm, gazeta shkruan edhe për efikasitetin e përdorimit të maskave. Sipas rekomandimeve shëndetësore që sjell gazeta, maskat përdoren kur je në kontakt apo pranë një personi që e ka marrë virusin. Megjithatë mjekët paralajmërojnë se maskat krijojnë edhe një ndjesi të rreme sigurie maksimale.

The Daily Telegraph boton një hartë ku lokalizohen rastet e prekura nga virusi në Britani, duke treguar se shpërndarja ështe që nga veriu në Skoci e deri në jug të Anglisë. "Britania përgatitet për më të keqen, teksa konfirmohen më shumë raste personash të infektuar", shkruan gazeta. The Daily Telegraph sjell një kronologji të virusit, që nga rasti i parë i shënuar më 2 prill në një fermë derrash në Meksikë e deri në orët e vona të së mërkurës, kur gjurmët e virusit u gjetën në të paktën nëntë vende të katër kontinenteve.

The Financial Times shkruan për pamundësinë e pajisjes që në fillim të të gjitha vendeve me vaksinën e re kundër virusit të gripit të derrave dhe paralajmëron se vendet më të varfra mund të mos kenë mundësi të sigurojnë që në fillim dozat e nevojshme ngaqë, sipas prodhuesve, furnizimi do të bëhet sipas radhës së paraqitjes së kërkesës.

Duke marrë shkas nga vizita e ministrit Steinmeier në Kabul, komentatorët në gazetat gjermane të së enjtes analizojnë gjendjen në Afganistan dhe rolin që mund të luajë Pakistani për qetësimin e situatës.

"Straubinger Tagblatt/Landshuter Zeitung" komenton:

"Ashtu si aleatët edhe qeveria federale flet shumë për një "strategji të re". Por në "terren në Hindukush" as që dallohet një e tillë. Gjermania nuk është e gatshme të mbështesë luftën kundër drogës, që për shkak të implikimit të islamistëve dhe baronëve të drogës, presupozon njëkohësisht edhe luftën kundër neo-talibanëve, El Kaidës dhe të gjitha bandave të tjera ekstremiste. Faktin që ushtarët tanë prej vitesh i vret ndërgjegja, sepse në sytë e tyre kultivohet dhe tregtohet droga, qeveria e merr po aq pak në konsideratë sa edhe rrethanat e tjera të mjerueshme."

"Wetzlarer Neue Zeitung" shkruan:

"Është e drejtë, që Steinmeier-i sërish thekson si objektiv direktivën e dhënë prej presidentit të SHBA-së, Barack Obama për një "zgjidhje rajonale". Afganistani mund të fitohet vetëm nëpërmjet Pakistanit. Megjithatë bashkësia ndërkombëtare tani për tani nuk mund të presë ndonjë mbështeje të madhe që andej. Luftëtarët islamistë kanë depërtuar deri në 100 km në afërsi të kryeqytetit Islamabad. U desh presioni masiv nga SHBA-ja, që qeveria përreth Asif Ali Zardari-t ta ndalte marshimin e trupës guerrilase. Mbetet me pikëpyetje, nëse Pakistani ka vërtetë forcën dhe vullnetin, të mbrojë territorin e vet, e në radhë të parë komplekset atomike dhe të vendosë qetësinë në zonën kufitare me Afganistanin".

Gazeta "Handelsblatt"Â komenton të njëjtin aspekt, rolin e Pakistanit:

"Avancimi i talibanëve javët e shkuara i ka shkaktuar nervozizëm të madh qeverisë së SHBA-së dhe aleatëve të saj. Mos vallë po kapitullojnë forcat pro-perëndimore në Pakistan? E aq më keq akoma: a është e mundur, që armët atomike të bien në duart e islamistëve radikalë? Presidenti i Pakistanit, Zardari pretendon, që jo. SHBA-ja, vendi i vetëm, që në një farë mënyre ka pak akses në arsenalet bërthamore të gjoja aleatit në luftën kundër terrorit, siç duket nuk është e sigurtë për këtë. E këtu fillon problemi më i madh i Obama-s. Ai do që ta zbusë vatrën më të rrezikshme në botë të krizës me partnerë, që janë shumë të dobët, për t'ia arritur kësaj."

e.l/NOA

KOMENTE