Prishtinë, 30 prill NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave kryesore në Kosovë, për ditën e Enjte, 30 Prill 2009. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip dhe anglisht.
Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit.
Për t'u abonuar në këtë shërbim dhe për t'u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e e-mail: info@noa.al
Të përditshmet e Kosovës, sot i përqendruan
sërish shkrimet, rreth incidenteve, që po shoqërojnë ndërtimin e shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicë. E përditshmja "Koha ditore", në kryeartikullin e saj shkruan se Bashkimi Evropian dhe Rusia kanë dalë me qëndrime të kundërta për Kroin e Vitakut. Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për protestat e dhunshme në veri, duke i ofruar mbështetje EULEX-it dhe KFOR-it, për të vënë rend dhe qetësi, ndërkohë që Moska zyrtare e ka quajtur të papranueshme përdorimin e forcës kundër serbëve, shkruan "Koha ditore". Gazeta "Express" sot sjell një shkrim për punimet në shtëpitë në veri të Mitrovicës me titull, "Baushtella e Vitakut". Shtëpitë e shqiptarëve në veri të Mitrovicës ndërtohen për 60 ditë. Ato janë dykatëshe dhe kushtojnë 149 mijë euro.
Policët e EULEX-it dhe të Kosovës, sigurojnë vendin. Serbët lokalë protestojnë përditë nga dy orë. Ata shpërndahen me dy bombola gazi lotsjellës të EULEX-it.
Ndërkaq, titull i dytë në "Express" është ai për masat e reja që Kosova ka marrë kundër gripit të derrave. "Kosova merr masa", mban titullin ky shkrim të cilin mund ta lexoni në faqen 8 dhe 9.
Kosova ka filluar të marrë hapat e parë në parandalimin e përhapjes së gripit të derrave. Gjatë ditës së mërkurë, mjekë në aeroportin e Prishtinës u kanë vënë maska mbrojtëse udhëtarëve, te të cilët me sy vërenin molisje ose ndonjë simptomë tjetër gripi. Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë thënë se janë ndërmarrë të gjitha masat preventive. Sot me opinionet e tyre, në "Express" paraqiten, Ibrahim Rexhepi, Armand Shkullaku dhe Micheal Meyer nga gazeta "Newsweek".
E përditshmja "Express" shkruan edhe se partitë politike sërish do t'i kushtojnë vëmendje të madhe garës për të fituar Prishtinën. Beteja për të fituar Prishtinën edhe më tej mbetet prioritet i lartë i partive politike, jo vetëm për shkak të numrit të madh të votave që sjell ky qytet, por edhe për shkak të prestigjit. Kryeqyteti do të marrë peshë më të madhe pas miratimit të ligjit që do ta bëjë atë me status të veçantë, shkruan "Express". Më tej, gazeta njofton se përveç LDK-së, e cila ka dhënë indikacione se nuk do ta lëshojë Isa Mustafën, partitë tjera me gjasë do të shkojnë me kandidatë të rinj, emrat e të cilëve ende nuk i kanë gjetur. Ndërkohë, sipas "Express", shumëkush koalicionin qeverisës në vend e sheh si pengesë dhe pothuaj të pamundur, që kandidati i PDK-së ta sulmojë kandidatin e LDK-së, pikërisht për shkak të këtyre lidhjeve.
E përditshmja "Zëri" shkruan për një problem tjetër të Kosovës, që është ai i liberalizimit të vizave me vendet e BE-së. Sipas gazetës, përderisa Qeveria shprehet optimiste për liberalizimin e vizave, ekspertët thonë se Kosova mbetet vendi më i izoluar në rajon. "Mosnjohja nga pesëshja e BE-së e lë Kosovën pa liberalizim të vizave?", mban titullin ky shkrim. "Nëse nuk do të prijë në procesin e liberalizimit të vizave, Kosova nuk do të jetë kurrsesi e vetmuar ose e fundit", deklaroi Hajredin Kuçi, i cili parashikon se Kosova do të jetë pjesë e këtij procesi brenda viteve 2010-11. Kurse Fatmir Curri nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur thotë se mosnjohja e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së do të jetë pengesë për nënshkrimin e marrëveshjeve në këtë fushë. "Koha Ditore", sjell reagimet e kundër në arenën ndërkombëtare për ngjarjet në veri të Kosovës, me titull, "BE-ja e Rusia - vlerësime të kundërta për Kroin e Vitakut". Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për protestat e dhunshme në veri, duke i ofruar mbështetje përpjekjeve të EULEX dhe të KFOR-it për të vënë rend dhe qetësi, ndërkohë Moska zyrtare e ka quajtur të papranueshme përdorimin e forcës kundër serbëve. "Epoka e Re", edhe sot sjell një intervistë. Kësaj radhe gazeta ka bërë një intervistë me Hajredin Kuçin, me titull, "Janë 1001 arsye që Rusia duhet ta njohë Kosovën". "Njohja e Kosovës nga Rusia patjetër do të ndikonte edhe të Beogradi, sepse pengesat më të mëdha Kosovës i vijnë nga Serbia, duke i shfrytëzuar edhe mundësitë legale dhe politike që i ka Rusia, në radhë të parë në Këshillin e Sigurimit", citohet të këtë thënë Kuçi për gazetën. "Lajm", paraqet kushtet e ambasadorëve kosovarë nëpër vendet perëndimore. Sipas gazetës, Ambasadorët e Kosovës dhe personeli diplomatik, përveçse nuk kanë vetura zyrtare, nuk kanë as sigurim shëndetësor.
"Luten të mos sëmuren". Qeveria kohë pas kohe vazhdon të blejë vetura të reja për anëtarët e kabinetit të saj, por nuk ka buxhet për sigurim shëndetësor të personelit diplomatik të Kosovës në SHBA dhe atë të ambasadave të tjera në botë.
Ambasadorët nuk guxojnë të flasin, e Ministria e Jashtme nuk do. Profesori i lëndës "Sistemi amerikan i qeverisjes", Zenun Halili, thotë se, në Amerikë, nëse nuk ke avokat dhe sigurim shëndetësor, realisht nuk ke asgjë.
E përditshmja "Lajm" trajton edhe një temë që ka të bëjë me akomodimin, përkatësisht problemet që edhe më tej kanë të ngarkuarit me punë të Kosovës në ambasadat e ndryshme të botës. Që 6 muaj, siç thonë ata, nuk guxojnë as të sëmuren, sepse nuk kanë sigurim shëndetësor dhe si rrjedhojë nuk kanë mundësi të shkojnë te mjeku dhe e kanë vështirë t'i sigurojnë barnat. Ndryshe nga pushtetarët në Kosovë, ata atje jetojnë me shumë peripeci, shkruan "Lajm". Më tej, kjo gazetë vlerëson se Qeveria, herë pas here, vazhdon të blejë vetura të reja për anëtarët e kabinetit të saj, por nuk ka buxhet për sigurim shëndetësor të personelit diplomatik të Kosovës në SHBA dhe në ambasadat tjera në botë.
Diplomatët kosovarë në Uashington luten që të mos sëmuren as nga gripi, pasi pa qenë të siguruar, nuk kanë pse të shkojnë te mjeku, shkruan "Lajm", për të shtuar se ambasadorët nuk guxojnë të flasin, e Ministria e Jashtme nuk do. "Lajm" citon profesorin e lëndës sistemi amerikan i qeverisjes, Zenun Halili, të ketë thënë se në Amerikë, nëse nuk ke avokat dhe sigurim shëndetësor, realisht nuk ke asgjë. "Bota Sot", sjell një shkrim me titull, "Serbët duan dhunë, vazhdojnë me shpërthime", shkrim ky që ka të bëj me ndërtimet në Vitak të Mitrovicës. Edhe "Kosova Sot" merret me ndërtimet që po bëhen në Mitrovicë. "BE-ja nuk kursen serbët", ka titullin qendrorë gazeta. Bashkimi Evropian ka dënuar trazirat e fundit në Mitrovicë dhe ka mbështetur KFOR-in dhe EULEX-in në përpjekjet e tyre që të sigurojnë kthimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre. Edhe pranitë ndërkombëtare në vend bëjnë të njëjtën gjë. Gazeta "Infopress" shkrimi kryesor ka po ashtu problemin e kthimit dhe rindërtimit të shtëpive të shqiptareve në veri të Mitrovicës. "S'ka dorëzim para ekstremistëve" ka titullin kryesor shkrimi i gazetës. Kryeministri Thaçi ka siguruar të gjithë të zhvendosurit se kthimi në pronat e tyre nuk paraqet rrezik për ta dhe se është krijuar klima, ambienti dhe siguria për një gjë të tillë. Procesi nuk duhet të politizohet, qytetari që dëshiron të kthehet në pronën e vet, është proces normal, legjitim dhe nuk është i drejtuar ndaj askujt.
Gazeta "Bota sot", duke iu referuar incidenteve të ditëve të fundit, ku EULEX-i u detyrua të përdorë gaz lotsjellës, vlerëson se institucionet e sigurisë, në vend se t'ia lehtësojnë punën vetes dhe shqiptarëve që duan të kthehen në pronat e tyre, po barrikadohen para shtëpive të shqiptarëve në vend se t'i arrestojnë ekstremistët serbë. E përditshmja "Epoka e re", ndërkaq, citon kryeministrin Hashim Thaçi të ketë thënë se nuk do të dorëzohet para ekstremistëve, pavarësisht se cilit nacionalitet i përkasin ata.
a.b/NOA