Tiranë, 30 prill NOA Update - Gjykata e Lartë rrëzoi sot dy vendimet e marra nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apelit Tiranë, për pavlefshmërinë e fletëthirrjeve të prokurorisë ndaj ministrit Lulzim Basha.
Kolegji i Bashkuar argumentoi se dy gjykatat më të ulëta, nuk kanë pasur të drejtë gjykimi, për këtë fakt vendimi i tyre duhet prishur.
Më tej gjykata argumentoi se vendimi i dy gjykatave është dhënë në mënyrë të gabuar duke shkelur kodin e procedurës penale dhe kushtetutën.
Kolegji i Bashkuar vlerësoi se neni 141 i Kushtetutës shpjegon qartë se personat si deputet, ministrat etj si kompetencë lëndore gjykohen vetëm nga Gjykata e Lartë.
Pas argumentimit të neneve kolegji i bashkuar theksoi se vendimet e marra nga dy shkallët e mëparshme janë të pavlefshme, pasi këto dy vendime janë marrë në një kohë kur çështja ishte ende nën hetim dhe se nuk kishte shkuar për gjykim në çështje themeli. Në fund të vendimit Kolegji i Bashkuar i dha të drejtë Prokurorisë së Përgjithshme që nëpërmjet një kërkesë të kërkonte rishqyrtimin e procesit, i cili u pushua më datën 10 prill.
Më herët, prokurori Artur Selmani i kishte kërkuar gjykatës që rrëzonte dy vendimet e mëparshme, duke argumentuar se kompetencë për gjykimin e kërkesës kishte vetëm Gjykata e Lartë.
Po ashtu prokurori shpjegoi se gjykata e lartë duhet të kishte gjykuar fillimisht këtë kërkesë, pastaj të vendoste për çështjen e themelit.
Në fund të pretendimeve të tij prokurori theksoi se Lulzim Basha nuk kishte bërë ankimin për zgjatjen e afateve të hetimit.
Nga ana tjetër mbrojtësi Zef Nikaj shpjegoi se kjo çështje nuk kishte kuptim që të zhvillohej pasi gjykata e Lartë e kishte pushuar çështjen e themelit.
Mbrojtësi argumentoi se gjithçka është "no sens". Pas përfundimit të gjykimit të sotmën, mbrojtësi Zef Nikaj nuk dha asnjë koment në lidhje me vendimin e marrë nga Gjykata e Lartë.
e.l/NOA